Tre persona janë arrestuar me urdhër të SPAK, si të përfshirë në një skemë për të rikualifikuar një shtëpi të prishur pas shpronësimit për qëllime publike, si të dëmtuar nga tërmeti, për të përfituar financiarisht.
Në pranga kanë përfunduar personat nën hetim, A.M. dhe F.H. të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe i dytë i Kodit Penal; si dhe për personin nën hetim Dh. P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Hetimet për këtë rast, të verifikuar në njësinë administrative Petrelë, të Bashkisë Tiranë, kanë nisur që në vitin 2020. Me urdhër të SPAK është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik”, ndaj Sokol Kupit, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.
Nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, rezulton se personat nën hetim A. M. dhe F. H., në vitin 2020 në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Nga provat e deritanishme ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë ndërhyrë tek punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë në varësi të Bashkisë Tiranë.
Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së.
Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit. Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.