U ndalua nga Trump, SHBA-ja rihap kufijtë për udhëtarët e vaksinuar

2 Minuta Lexim

Shtetet e Bashkuara kanë rihapur kufijtë për vizitorët e huaj duke i dhënë fund një ndalimi 20-mujor të hyrjes për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ndalimi u vendos nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Masa kishte prekur qytetarët jo-amerikanë nga mbi 30 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Shumë familje ishin ndarë dhe turizmi ishte bllokuar. Tani, linjat ajrore po presin të ketë një vërshim nga vizitorët pasi kufizimet janë hequr për ata që janë plotësisht të vaksinuar dhe i nënshtrohen testimit dhe gjurmimit të kontakteve. Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, kufijtë e SHBA fillimisht u mbyllën për udhëtarët nga Kina në fillim të vitit 2020.

Kufizimet më pas u shtrinë në vende të tjera. Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë prova të vaksinimit përpara se të fluturojnë, të marrin një rezultat negativ të testit COVID-19 brenda tre ditëve nga udhëtimi dhe të dorëzojnë informacionin e tyre të kontakteve. Ata nuk do të duhet të hyjnë në karantinë.

Bashkimi Evropian rekomandoi lejimin e hyrjes së udhëtarëve amerikanë në muajin qershor, ndërsa vizitorët nga SHBA-ja kanë qenë në gjendje të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar që nga 28 korriku./ REL

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull