Nga Besim Dybeli
Tetë fëmijë do të rriteshin jetimë. E , si për ironi të fatit , do të vdisnin pa i ditur as varrin babait të tyre. 60 nipër e mbesa janë rritur me krenarinë e gjyshit pa e njohur atë as në fotografi. 60 stërnipër e stërmbesa pyesin brezin paraardhës për historinë e trishtë të stërgjyshit të tyre , pasi për të, ende flet një krahinë e tërë. Historia tragjike zë fill në fshatin e thellë malor , Lenie të rrethit të Gramshit , ku 79 vjet më parë një çetë partizane do të pushkatonte pa gjyq një partizan.
Paradoksi i kohës shënon rrjedhën groteste(!) Tre, nga tetë fëmijët e të pushkatuarit , dolën partizanë në “vend” të babait të vrarë nga shokët e vet partizanë …!!! Rreth 40 vjet më pas , kjo familje do të shpallej “armike e pushtetit popullor”…
Historia
Mesdimri i acartë i vitit 1942 do të shënonte “gurin” kalenderik për familjen , Ibro në fshatin Lenie të Gramshit. 75 vite do të shkruanin në heshtje për “shkëlqimin dhe rënien” e fisit, Ibro, në malet e Lenies. Çeta e vogël e Zvarishtit nga Korça , kishte zbritur në fshat bashkë me agimin e të premtes të vitit 1942. Komandanti i saj , Rrahman Zvarishti kishte kohë që kërkontë bashkëvuajtësin, Bano Ibro.
Si antizogistë të burgosur në burgun e Korçës , ende nuk dihet pse ishin grindur , por për Rrahmanin duket se kishte ardhur dita e hakmarrjes. Bano i përgjigjet kërkesës së Zvarishtit për tu bashkuar të dyja çetat në një , pa e ditur se pabesia do t’i merrte jetën. Buzëmbrëmja, Banon, e zë në qafën e Kuretës , pikërisht aty ku afro 20 vjet më parë , forcat serbe do t’i vrisnin babanë , Bidon. Partizanët e çetës së Zvarishtit do ta lidhin këmbë e duar dhe më pas do të zbatonin urdhërin e komnadantit të çetës. Rrahman Zvarishti dha urdhër të pushkatohej për shkakun se gjoja , “ Bano nuk kish pranuar të bashkëpunonte me çetën partizane !” . Një krismë pushke u dëgjua në fund të shkëmbit të qafës së Kuretës. Aty ra. Aty mbeti. Askush nuk guxoi qoftë dhe një fjalë të vetme për vendndodhjen e kufomës . Bashkë me këtë të fundit sikur u tret edhe kujtesa e të gjithë atyre që dinin apo ishin bashkëkohës të kësaj ngjarjeje. Prit me ditë e prit me muaj , por Bano Ibro nuk u kthye në fshat.
Prit ndër vite bashkëshortja e tij , Asija , por as një zë apo gjurmë. Jeta e saj u vërvit monopateve të maleve të Lenies për të rritur tetë jetimë me të shoqin e vrarë kush e di se ku ! Pa kaluar ende të shtatat e zhdukjes së Bano Ibros , në shtëpinë e tij në krye të fshatit , ja beh sërish çeta e Rrahman Zvarishtit. – “ Na fal , – i thanë. Burri juaj është vrarë gabimisht. Lufta ka nevojë për shtimin e radhëve partizane”. Në të ngrysur , tre djemtë e Asijes iu bashkuan çetës së Zvarishtit për të qëndruar aty gjer në agimin e lirisë…
Kërkon flori, gjen eshtrat e partizanit të pushkatuar
Ndodhi 4 vjet më parë. Dashamir Lalollari sapo ishte kthyer nga emigracioni në shtetin grek. Nuk i kishte ecur. Më shumë pa punë , se me punë. Ndaj mendoi të realizonte një ëndërr për gjetjen e floririt. E njihte mirë terrenin në fshatin e tij , Dobërçan. Pas dy orësh kërkimesh , një sinjal në pajisjen e tij i tërhoqi vëmendjen. Hodhi sytë lart nga shkëmbi qindra metërsh , teksa dielli ishte gati në të perënduar. Aty ku dëgjohej sinjali akustik , nisi të lëvizë me duar ca gurë përzier me dhera mes myshqesh. Sikur ngriu në vend , kur sytë i pikasën një skelet njeriu të lidhur me tela. E kishte dëgjuar historinë tragjike të humbjes së Bano Ibros , 75 vjet më parë. – “ Unë e dija historinë tragjike dhe menjëherë lajmërova familjarët e tij , pasi isha i bindur , se tjetërkush nuk mund të ishte i dekompozuar në fundin e këtij shkëmbi”- ka pohuar Dashamiri.
Nipërit e tij kanë ardhur me shpejtësi. Në kafkën e kokës kanë pikasur një vrimë plumbi. – “Po , me një plumb pas koke e vranë atë pasdite dhjetori të vitit 1942 dhe e di mirë që urdhërin e dha Rrahman Zvarishti , si shenjë hakmarrjeje të një zënke që kishte patur me Banon, kur ishin në burgun e Korçës”- ka pohuar , Ismail Myftaraj, dëshmitar okular kur Bano Ibron e mori çeta e Zvarishtit për ta pushkatuar. – Më vonë , – shton Myftaraj , kam mësuar se edhe Rrahman Zvarishtin e pushkatuan për tradhëti ndaj idealeve komuniste. Lumturi në ceremoninën e varrimit Për shumëkënd mund të duket paradoksale që të ndjehesh “ i lumturuar” në një ceremon mortore. Realisht kështu ka ndodhur teksa bëhej varrimi i Bano Ibros në fshatin Lenie të Gramshit. I tërë fshati qe mbledhur aty në kodrinën e varrezave të reja. Nipërit , stërnipërit , të afërmit e Bano Ibros e kalonin shifrën njëqind , të ardhur shumica nga rrethe të vendit . – “ Gjer më 1974 , ishim të ingranuar në tërë jetën social-politike të zonës e në shumë rrethe “- pohon nip ii tij , Kapllan Xhandolli , një oficer karriere, që diktatura e përplasi ku ishte rrethi më i largët dhe puna më e rëndë. – “ Më pas , -shton ai , – u shpallëm të gjithë armiq dhe u përsekutuam rëndë për afro 25 vjet. Paradoksi mbetet i thjeshtë për t’u kuptuar. Familja dhe fisi u nderuar e u vlersua , se Bano Ibro u pushkatuar aksidentalisht dhe se tre djemtë e tij dolën partizanë fill pas pushkatimit të të atit.
Më vonë një letër anonime ndryshoi biografinë. “ Bano Ibro është pushkatuar në çetën partizane !!!” Kaq duhej dhe pasardhësit e Banos dhe fëmijve të tij , të vuanin të ‘’zitë e ullirit ‘’gjer në ardhjen e demokracisë. Këto pjesëza kujtimesh të trishta dialogoheshin pas ritit të varrimit të eshtrave. Të gjithë të qetë e të qeshur. Një gëzim i tillë përgjatë një ceremonie mortore përligjej me ankthin e pritjes së gjetjes së eshtrave për rrëth 75 vjet. Njeriu që e gjeti , Dashamir Lalollari , tashmë u cilësua nga familjarët e të afërmit e të martirëzuarit , miku më i afërt. Ndërsa varri i tij u stërmbush me tufa me lule , në një lokal të improvizuar të fshatit , familjarët organizuan drekën e fundit patriotit Bano Ibro. Drekë mortore i thënçin! Për nga gëzimi se gjyshi dhe stërgjyshi tashmë e kishte një varr , banketi , vetëm nga mungesa e një orkestre , ndryshonte nga një ceremoni gëzimi.
Të gjithë , tashmë ndjehen të qetë. I qetë prehet edhe shpirti i Bano Ibros , për 75 vjet pa namë e nishan …