BE-ja sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

2 Minuta Lexim

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të zgjerojnë sanksionet kundër Bjellorusisë, lidhur me bllokimin e emigrantëve në kufijtë e Bjellorusisë me Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së po takohen në Bruksel për të rënë dakord mbi masat e mëtejshme për t’i ushtruar presion Bjellorusisë. BE-ja ka akuzuar Minskun se ka ftuar emigrantë në vend me premtimin t’i ndihmojë ata të kalojnë në territorin e BE-së.

“Ne do të zgjerojmë kuadrin ligjor në mënyrë që të zbatojmë sanksione të tjera ndaj linjave ajrore, agjencive të udhëtimit dhe të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë nxitje të paligjshme të emigrantëve në kufijtë tanë”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell.

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, tha se sanksionet që filluan si pasojë e shtypjes së bjellorusëve nga qeveria Lukashenko do të zgjerohen.

“Nuk besoj se Bjellorusia sillet në mënyrë konstruktive pa sanksione. Kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën. Pika e nisjes së sanksioneve ishte trajtimi i popullatës në Bjellorusi, dhe asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me këtë. Kështu që nuk ka asnjë arsye për të tërhequr sanksionet e vendosura – përkundrazi, jemi larg fundit të tyre”.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, paralajmëroi se mund të pasojnë masa edhe më të ashpra nëse presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko nuk tërhiqet.

“Ne duhet të diskutojmë jo vetëm për sanksionet, por për të ardhmen e regjimit bjellorus. Kur efekti i sanksioneve të bjerë, duhet të flasim për pasojat ligjore të njerëzve të regjimit që sollën gjithë ata njerëz në Bjellorusi dhe shkaktuan kaq shumë tragjedi njerëzore në kufirin e Polonisë, Bjellorusisë, Lituanisë dhe Bjellorusisë”, tha ministri Langbergis.

Ministri i jashtëm gjerman i bëri thirrje aleatit më të fuqishëm të Lukashenkos, presidentit rus Vladimir Putin, që të ushtrojë presion ndaj Minskut.

Të paktën tetë persona kanë vdekur përgjatë kufirit tokësor 200 kilometra të gjatë midis Polonisë dhe Bjellorusisë, nga të ftohtit dhe rraskapitja./voa/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull