Para dhe pushtet/ Partitë politike fshehin shpenzimet e fushatave elektorale

13 Minuta Lexim

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë shkruhet se burimet financiare të partive politike si dhe shpenzimet e tyre duhet të jenë ‘kurdoherë publike’. Transparenca financiare është në mënyrë të veçantë e rëndësishme gjatë fushatave zgjedhore, kohë kur nevoja e partive dhe e kandidatëve për para është edhe më e madhe.

Kodi Zgjedhor i detyron subjektet që garojnë në zgjedhje që të dorëzojnë në fund të fushatës elektorale raporte të detajuara për të ardhurat dhe shpenzimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KQZ – i cili ka autoritetin dhe përgjegjësinë të mbikqyrë, kontrollojë dhe të auditojë fondet e fituara dhe të shpenzuara.

KQZ nuk e ka përfunduar ende procesin e kontrollit të financave të partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Megjithatë, të dhënat e raporteve financiare të analizuara nga BIRN, të kryqëzuara edhe me minutazhin dhe kostot e afishuara të spoteve publicitare politike të transmetuara gjatë fushatës elektorale, ngrenë dyshime se subjektet dhe kandidatët garues kanë fshehur miliona euro shpenzime.

Sipas ekspertëve, zgjedhjet e fundit parlamentare nuk janë të vetmet ku partitë politike nuk i deklarojnë në mënyrë transparente shpenzimet e kryera gjatë fushatës elektorale.

“Është parim kushtetues që partitë politike t’i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet, një parim kushtetues të cilin në Shqipëri nuk e kanë zbatuar që kur e kanë miratuar Kushtetutën,” tha Afrim Krasqini, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike në Tiranë.

“Kontrolli i financave është themelor për të bërë transparencë ndaj atyre që paguajnë fushatat elektorale dhe indirekt paguajnë edhe përfaqësimin politik në Shqipëri,” shtoi ai.

Gjatë dy dekadave të fundit, fushatat zgjedhore parlamentare dhe vendore kanë ardhur duke u bërë gjithnjë e më të shtrenjta. Edhe pse paratë janë një element i rëndësishëm i konkurrencës midis partive politike, ato mund të kthehen në rrezik për demokracinë përfaqësuese, duke zbehur ndikimin e votuesve nëpërmjet kutisë se votimit ndaj vendimmarrësve.

Mungesa e transparencës financiare në lidhje me paratë që qarkullojnë gjatë një fushate zgjedhore, gjithashtu e bën më të vështirë zgjedhjen e informuar të votuesve ndaj ofertave të ndryshme politike.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk iu përgjigjën një kërkesë për koment nga BIRN, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim mohoi të kishte fshehur shpenzimet e saj elektorale.

“Të gjitha shpenzimet zgjedhore të kryera nga subjekti Lëvizja Socialiste për Integrim janë deklaruar përpara KQZ-së, në përputhje me parashikimet ligjore të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij,” tha në një pëgjigje me shkrim Endrit Braimllari, sekretar i përgjithshëm i LSI-së.

Shpenzimet e partive për reklama TV

Sipas Kodit Zgjedhor, operatorët radio-televizivë janë të detyruar të zbatojnë tarifa të njëjta për reklama brenda të njëjtit segment kohor përgjatë gjithë kohës së fushatës, tarifa të cilat dorëzohen dhe bëhen publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare, radiotelevizionet private kombëtare dhe satelitore – Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, detyrohen që gjysmën e kohës totale të reklamës t’ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore.

Duke analizuar të dhënat e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, për minutazhin e reklamave për secilën parti politike gjatë fushatës zgjedhore, si dhe kostot e afishuara të reklamave nga subjektet audiovizive në KQZ, BIRN përllogariti se kostoja totale e reklamave gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit parlamentare kapte një vlerë prej 6.5 milionë euro.

Nga kjo shumë u zbrit gjysma e vlerës së reklamave të transmetuara në televizionet kombëtare private – Klan TV, Top Channel dhe Vizion Plus, ç’ka e uli vlerën totale të shpenzimeve të partive politike në 5.1 milionë euro.

Kur BIRN analizoi të dhënat e shpenzimeve për spote televizive të deklaruara nga partitë politike në raportet financiare të fushatës, zbuloi se shuma e raportuar në KQZ ishte 84 milionë lekë [685 mijë euro] – ose shtatë herë më e vogël se sa kostoja e reklamave për minutazhin e monitoruar nga AMA.

Bazuar në monitorimin e minutazhit të reklamave, BIRN përllogariti se Partia Socialiste në pushtet transmetoi gjatë fushatës elektorale një minutazh reklamash politike të barabartë me 2.3 milionë euro, ndërkohë që deklaroi vetëm 46.5 milionë lekë [379 mijë euro] në KQZ.

Të dhënat sugjerojnë se në raportin financiar të PS-së, kostoja e reklamave është e nënraportuar ose në disa raste, nuk është raportuar fare.

Për shembull, Partia Socialiste transmetoi sipas AMA-s 149.9 minuta reklama politike në televizionet Fax News, MCN TV, RTV Ora and Scan TV, por në raportin financiar të selisë rozë nuk raportohen reklama në këto televizione. Partia Socialiste nuk ka raportuar gjithashtu shpenzime financiare për minutazhin e reklamave në transmetuesit vendorë Apollon TV, TV Kopliku, Kanali 7, Belshi TV, Sot 7, Alpo TV dhe TV Bulqiza.

Partia Demokratike në opozitë përllogaritet të ketë transmetuar spote elektorale me vlerë 2 milionë euro gjatë fushatës së fundit zgjedhore, por në raportin financiar ka deklaruar shpenzime për spote me vlerë 23 milionë lekë [187 mijë euro], ose dhjetë herë më pak.

Sipas AMA-s, partia më e madhe opozitare ka transmetuar 165 minuta reklama në Report TV, por në raportin financiar nuk rezulton të jetë përfshirë kostoja e këtyre spoteve. PD nuk rezulton të ketë raportuar as reklamat e transmetuara në televizionet SCAN, MCN, Shijak TV, Apollon TV, TV Kopliku, Kanali 7, Belshi TV, Sot 7, Alpo TV, Rozafa TV dhe TV Bulqiza.

 Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim – partia e tretë më e madhe në vend, nuk ka deklaruar në raportin financiar shpenzime për spote elektorale. Ndërkohë, sipas monitorimit të AMA-s, LSI ka transmetuar më shumë se 224 minuta reklama, me një kosto që BIRN e përllogariti në 286 mijë euro.
Gjergji Vurmo, ekspert mbi qeverisjen dhe kapjen e shtetit pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, IDM, thekson se përsa i përket transparencës financiare, sjellja e drejtuesve politikë në vend ngjason me “kalamajtë e këqinj, të pandreqshëm.”

“S’kanë pikën e integritetit,” tha Vurmo. “Shfrytëzojnë politikën në favor të interesave të veta dhe të grupit të vet,” shtoi ai.

Para dhe pushtet

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, në Komisionin Qendore të Zgjedhjeve u regjistruan 46 subjekte politike, tre koalicione zgjedhore dhe pesë kandidatë të pavarur. Megjithatë, deri me 15 nëntor, në KQZ e kanë dorëzuar raportin financiare vetëm 26 subjekte politike dhe pesë kandidatët e pavarur.

Nga 26 partitë që kanë dorëzuar raportet financiare në KQZ, 15 deklarojnë se kanë pasur zero lekë shpenzime gjatë fushatës elektorale – përfshirë subjekte si Partia SocialDemokrate që ka tre deputetë të zgjedhur në legjistlaturën e re.

Sipas Gjergji Vurmos nga IDM, është e pakuptimtë që një parti politike që garon në zgjedhje të deklarojë zero shpenzime në fund të fushatës zgjedhore.

“Mund të tallesh dhe mund të thuash, shiko se unë harxhova 10 lekë të reja, ndërkohë që partitë e mëdha kanë harxhuar 4 milionë, por jo të më thuash që nuk ka fare,” tha Vurmo. “Vetëm zero nuk mund të deklarosh,” shtoi ai.

Sipas raporteve financiare të dorëzuara nga 11 subjektet e tjera zgjedhore, 417 kandidatë për deputetë dhe 5 kandidatë të pavarur shpenzuan gjatë fushatës zgjedhore 284.7 milionë lekë, nga të cilat 30% ose 84 milionë lekë shkuan për reklama në median audiovizive. Zëri i dytë më i madh është kostoja e mitingjeve, që në total kap një vlerë prej 41 milionë lekësh ose 15% të totalit.

Shpenzime të larta ka pasur edhe për mediat sociale – të barabara me 19.9 milionë lekë si dhe për konsulenca me vlerë 24 milionë lekë. Shpenzimet në kategorinë ‘media sociale’ shkojnë tërësisht për kompaninë ‘Facebook’.

Ndërkohë, shpenzime në kategorinë ‘konsulenca’ kanë pasur vetëm Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Socialistët ia kanë besuar fushatën e tyre kompanisë amerikane ‘SES Strategies LLC’, për të cilën deklarojnë se kanë shpenzuar 15.5 milionë lekë. Ndryshe, demokratët e Lulzim Bashës kanë marrë këshilla nga izraelitët e ‘Yossi Shalom’, për të cilët janë deklaruar 8.6 milionë lekë shpenzime.

“SES Strategies LLC” është një kompani amerikane e themeluar nga këshilltari politik amerikan, Steve Schmidt, i cili drejtoi në vitin 2008 fushatën e senatorit të ndjerë John Mcain për president të SHBA-ve.

Partia me shpenzimet më të larta gjatë fushatës ka qenë Partia Socialiste në pushtet me 135 milionë lekë, e ndjekur nga Partia Demokratike me 42 milionë lekë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 36 milionë lekë. Në vend të katërt sa i përket shpenzimeve gjatë fushatës radhitet PDIU me 15.7 milionë lekë.

Ngjashëm me partinë, edhe kandidatët e PS-së kanë deklaruar shpenzime më të larta se kolegët e tyre nga partitë opozitare. Sipas raporteve financiare të depozituara në KQZ, 81 kandidatët socialistë kanë deklaruar shpenzime financiare gjatë fushatës, për një vlerë totale prej 34.1 milionë lekësh. Megjithatë, kandidatët socialistë nuk i kanë detajuar shpenzimet e tyre sipas udhëzimit të KQZ-së.

Partia e dytë për nga shpenzimet e kandidatëve në zgjedhje është LSI me 7.5 milionë lekë dhe e treta radhitet Partia Demokratike me 2.1 milionë lekë.

Nga Partia Demokratike në opozitë, vetëm pesë kandidatë deklaruan shpenzime në zgjedhje, ndërkohë që ka zero deklarime për shpenzime nga kandidatët e saj në 7 nga 12 qarqet e vendit.

Sipas Afrim Krasniqit, mungesa e transparencës financiare përsa i përket të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore ngre pikëpyetje mbi integritetin institucional të partive politike në Shqipëri.

“Është një rreth zinxhir, i cili na tregon nëse këto parti janë funksionale, janë informale ose mënyrën e funksionit të tyre,” tha ai.

Krasniqi nënvizoi se mungesa e transparencës financiare nga partitë synon që të mbulojë qarkullimin e parave të pista, një pjesë e së cilave vijnë edhe nga krimi i organizuar.

“Shqipëria konsiderohet një nga vendet me informalitetin më të lartë dhe me problemet më të mëdha të krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës dhe akteve të tjera kriminale, dhe një numër i madh raportesh kanë treguar që individë të tillë kanë interesa për të ndikur në vendimmarrje dhe në zgjedhjet e një numri postesh shtetërore,” tha Krasniqi.

“Ne duhet të kemi të gjitha të dhënat e plota për të bërë monitorimin nëse elementë të tillë kanë ndikur në zgjedhjet në nivele të ndryshme të sistemit tonë qeverisës,” përfundoi ai. /Reporter.al- Titulli është i Arbëria News.net/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull