Sipas nenit 152 të “Ligjit për Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve”, një prokuror ose gjyqtar, pezullohet nga detyra menjëherë sapo ndaj tij rregjistrohet një procedim penal, për çfarë do lloj vepre penale për të cilën ai është nën hetim…
Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimin për “fshehje të pasurisë” dhe “Falsifikimit të formularëve” nga persona që kanë për detyrë plotësimin e tyre, ndaj prokurorit Emëror Kasaj.
Sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, hetimi ka për bazë dy veprat penale të lartpërmenduram pasi flitet për një shumë prej 50 mijë eurosh që prokurori Emëror Kasaj i ka fshehur duke mos i deklaruar ato si shuma që i ka marë borxh dhe më pas i ka dhënë sërish borxh, tek shtetasi Maurizio Lombi.
Prokurori Emëror Kasaj ka fshehur të ardhura dhe nuk i ka deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit vlerat monetare, me qëllim fshehjen e tyre dhe për pasojë ka falsifikuar Formularin e Deklarimit.
Kasaj pretendon se 50 mijë eurot, i ka marrë borxh tek disa shokë dhe ka paguar vlerën monetare tek Maurizio Lombi, në mirëbesim. Por ndërkohë në institucionin e ILDKPI-së, nuk është deklaruar një fakt i tillë, referuar kjo, deklaratave periodike ndër vite që Kasaj ka plotësuar dhe dorëzuar.
Të gjitha këto veprime janë të dënueshme nga dispozita të veçanta të Kodit Penal, ndaj dhe prokuroria e Tiranës tashmë ka nisur hetimet ndaj këtij prokurori. Nga verifikimet e kryera, si dhe për të mbuluar situatën, prokurori Emëror Kasaj i është drejtuar gjykatës së Tiranës me një padi civile ku i kërkon Maurizio Lombit, t’i kthejë mbrapsht shumën prej 50 mijë eurosh.
Çështja civile mban Nr. 16702 dhe është rregjistruar në datën 3 nëntor 2021, dhe aktualisht, është duke u pritur faza e gjykimit në gjykatën e Tiranës, me gjyqtar, Agron Zhukri, i cili ende nuk ka caktuar datë gjykimi. Ndërsa nga ana tjetër, prokuroria e Tiranës vijon hetimin penal dhe ka shumë gjasa që të caktohet një masë sigurimi ndaj prokurorit Kasaj.
Sipas legjislacionit në fjalë dhe më konkretisht nenit 152 të “Ligjit për Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve”, një prokuror ose gjyqtar, pezullohet nga detyra menjëherë sapo ndaj tij rregjistrohet një procedim penal, për çfarë do lloj vepre penale, për të cilën ai është nën hetim.
Kërkesën për pezullimin e prokurorit ose gjyqtarit, prokurori i çështjes e paraqet në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe më pas ky institucion brenda një afati 3 ditor, ia përcjell për vendim përfundimtar, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nëse subjekti nën hetim është prokuror dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, nëse subjekti nën hetim është gjyqtar.