Rreth 50 efektivë nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër i janë nënshtruar testit të drogës në një laborator privat. Ata tashmë janë në pritje që brenda pak orësh të marrin edhe përgjigjet nga një laborator privat me të cilin është pajtuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Ky zhvillim vjen 2 ditë pas marrjes së vendimit nga Drejtori Gledis Nano dhe nënshkrimit të marrëveshjes me ‘Intermedica shpk’. Për efektivët që rezultojnë pozitiv në përdorimin e substancave narkotike, merret menjëherë masa e përjashtimit nga radhët e policisë, ndërsa në varësi të rastit nis edhe ndjekja penale.
Ky testim do të zhvillohet përmes caktimit të grupeve të përzgjedhura, të panjoftuara më parë dhe do të jetë periodik, e për rastet e dyshuara pavarësisht se në testimin e parë mund të rezultojnë negativ, testimi përsëritet brenda një periudhe të shkurtër.
Ndërkohë ende nuk ka një qëndrim zyrtar nëse do ti nështrohen testit të gjithë efektivët dhe kupola drejtuese. Fillimisht testet do të bëhen në të ardhmen në radhët e kandidatëve në Akademi më pas ndaj efektivëve në detyrë.
Testet që po praktikohen janë përmes urinimit dhe marrjes së gjakut. Pothuajse 11 mijë efektiv policie në rang vendi do ti nënshtrohen këtij rregulli që duhet kujtuar se ka nisur të implementohet, pasi rregullorja dhe ligji e kishte të parashikuar por me vite më radhë nuk ishte implementuar.
Testimi do të jetë periodik dhe i përvitshëm, ndërsa Policia e Shtetit argumenton se një vendim i tillë është marrë për të ruajtur etikën, pastërtinë dhe imazhin e policisë.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme bëjnë me dije për Tv Fax News se nuk përjashtohet askush nga testimi për drogën, përfshirë edhe në radhët e kupolës drejtuese, që nënkupton se duke nisur nga zyrtarët me pozitat më të larta në Drejtorinë e Përgjithshme, apo në drejtoritë dhe komisariatet e rretheve do ti nënshtrohen testimit.