Janë krijuar shoqëri paralele, një truall i përshtatshëm për banda kriminale. Të kurthuar në imazhe të “burrërisë” dhe kriminalitetit, në kërkim të identitetit – për shumë të rinj…
Nga Enver ROBELLI –
Sipas një dokumentari të televizionit gjermano-francez ARTE në Suedi në 6 vitet e fundit ka pasur 2500 përleshje me armë. Qytetet e mëdha po përballen me kriminalitetin në rritje të bandave të ndryshme, kryesisht me origjinë të huaj dhe kryesisht nga Lindja e Afërt (Siri, Liban, Palestinë etj.). Shumë prej refugjatëve janë të moshës së re, ndihen të çrrënjosur, pa perspektivë dhe me shumë testosteron.
Nga dhuna dhe të shtënat me armë pësojnë edhe njerëz krejtësisht të pafajshëm. Më 2020 u vra 12-vjeçarja Adriana. Ajo ra viktimë e një plumbi qorr. U vra Jafa, 15-vjeçar, me gjasë ai u ndëshkua për shkak të krimeve të vëllait të tij. Para dy vitesh u vra një mjeke, nënë e një foshnje 2-muajshe.
Doktoresha ishte dëshmitare e një përplasjeje me armë. Këto ditë u dënua me 8 vjet burg një 17-vjeçar që kishte vrarë një polic suedez. Ai ishte vetëm 33-vjeçar. Më 2015 në lagjen Biskopsgården në Göteborg dy persona hapën zjarr kundër mysafirëve të një lokali. U vranë dy veta me atë rast, 10 u plagosën. Nga 26 mijë banorë të Biskopsgården gjysma kanë prejardhje të huaj.
Suedia liberale, socialdemokrate, e hapur për një kohë të gjatë i ka injoruar problemet që lindin si pasojë e ardhjes së emigrantëve, thekson televizioni ARTE. Janë krijuar shoqëri paralele, një truall i përshtatshëm për banda kriminale. Të kurthuar në imazhe të “burrërisë” dhe kriminalitetit, në kërkim të identitetit – për shumë të rinj me prejardhje të huaj në Suedi adoleshenca mund të jetë vdekjeprurëse.