SHBA- Betty Reid Soskin nga Shërbimi i Parqeve Nacionale, gjithmonë shfrytëzon përvojën e jetës që të edukojë vizitorët sa i përket historisë amerikane.
Ajo ka shumë përvojë dhe mund të tregojë lloj-lloj rrëfime, kurse në shtator ka mbushur 100 vjet.
“Mendoj që rrëfimi i kujtdo është shumë i rëndësishëm. Ekzistojnë shumë dallime. Në fakt në këtë përzierje fshihet sekreti i madh i demokracisë”, tha Soskin për Washington Post në ditën kur po festonte 100-vjetorin e lindjes.
Soskin është një prej 20 mijë renxherëve aktivë në mbarë SHBA-të. Kur në vitin 1916 u themelua Shërbimi i Parqeve Nacionale, pothuajse të gjithë punonjësit ishin meshkuj dhe të bardhë.
Më shumë se një shekull më vonë, 37,8 për qind e punonjësve janë gra, e 21,5 për qind të bardhë.
Mbesa e një ish-skllavi ka lindur më 1921 në familjen Cajun-Kreole, e është rritur në Oakland të Kalifornisë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Soskin dëshironte të ishte një prej grave që ndërtojnë anije dhe aeroplanë, por nuk ka mundur ta realizojë këtë ëndërr për shkak të ndarjeve racore të bazuara në ligje që ishin në fuqi deri kah mesi i shekullit XX.
Dekada më vonë, Soskin ndihmon në punën e Parkut Nacional dhe historik në Richmond të Kalifornisë. E në vend që të punojë në fabrikë duke ndërtuar anije, Soskin punoi në një sallë të veçantë sindikatash, si referente.
Gati 60 vjet pasi filloi si nëpunëse, Soskin punon për Shërbimin e Parqeve Nacionale ku zbulon rrëfime të patreguara të afro-amerikanëve që punuan gjatë luftës. E kjo punë e çoi në vitin 2013 në një pozitë tjetër – atë si roje parku duke punuar me orar të plotë.
Ajo është roja më e moshuar e parkut në Shtetet e Bashkuara. Soskin i mban mend ngjarjet më të rëndësishme në historinë e SHBA-ve, siç është rasti i sulmit të japonezëve mbi forcat ajrore amerikane në Pearl Harbor.
Soskin mban ligjërata në parkun historik në Richmond dhe tregon rrëfime të ndryshme, ku shumë vizitorë e dëgjojnë me vëmendje.