Një botë portokalli?   ( rozë, blu, ylber…)

3 Minuta Lexim

Nga Marsela Neni Haxhimusai

 

E portokallta është ngjyra e mbivlerësimit e mbisundimit. Unë nuk jam për të portokalltën. Teoritë gjinore dihet se çfarë kanë shkaktuar. Një histori maskiliste e njerëzimit mjafton. Nuk na nevojitet një feministe. Unë jam me të gjithë ata që përpiqen për zgjimin dhe fuqizimin e gruas.

E gjithë lufta jonë duhet të jetë për femëroren, për mashkulloren, për përbashkësimin, jo,  jo për ‘izmat’.

‘Izmat’ janë përçarëse, konfrontuese, kompromentuese, tëhuajëzuese nga thelbi ynë qenësor.

Unë nuk jam feministe, nuk jam për maskilizmin.

Unë jam për femëroren dhe mashkulloren.

Femra zotëron një energji të jashtëzakonshme. Femra është një fuqi e pashtershme e natyrës. Për këtë duhet të ndërgjegjësohet femra, për së pari. Kjo fuqi gjendet brenda saj, jo jashtë saj.

Fuqia e saj është e një natyre të ndryshme nga ajo e mashkullit, ndaj çdo komparizëm është që në fillesë i gabuar.

Rruga drejt barazisë nuk kalon as duke forcuar muskujt, as duke shkelur mbi mashkullin, as duke ç’shenjtëruar familjen, as duke hequr dorë nga ato që një femër i bën më së miri.

Asnjë lloj proteste në rrugë, as qindra e mijëra organizata të ngrihen për të mbrojtur të drejtat e grave, nuk mund të realizojnë atë ç’ka bën edukimi.

Kjo është lufta jonë: E D U K I M I.

Kjo është lufta e gjithësecilës dhe gjithësecilit prej nesh.

Të edukojmë vajzat e djemtë tanë.

T’i bëjmë ata të kuptojnë sa të ngjashëm jemi kur respektojmë dhe duam ndryshimet që na ndajnë.

E gjitha kjo bëhet vetëm përmes dashurisë, vetëm përmes edukimit të vlerave: respektit, dinjitetit, besimit, faljes, sinqeritetit, partneritetit të vërtetë.

*Për ty grua, që sot mund të jesh e lënduar, poezia më poshtë, duke uruar të të ngrejë lart, aty ku meriton të jesh.

*Lotus

Të rrëfej forcën time:

i ngjan asaj të një Zambaku uji

që reziston dhe rritet

në errësirë

në lagështirë

në kushte të vështira jetese

ndër frymorë të mykthët,

nën, derisa një ditë, mbi

ujë krejt ‘bukuritë’

ia shpalos një dielli.

E netëve, për një mashkull, petalet

kruspull krejt i mbledh

për t’u bërë një kupë femërore

e jashtëbotshme si thjeshtësi gruaje.

Ndaj, i dashur,

derdh mbi mua verë,

poezi…

Mbushmë!

E më pi, me fund!

Ajme, agu le të vijë,

pa trandje e presim, pa dehje,

me kthjella, se asgjë s’na përket,

e askujt s’i përkasim,

veç fatit… që dikush na e la

foshnjë në derë

e ne e rritëm

e bëmë fëmijë në shpirt.

*zambak uji

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull