Arteria mesore e parakrahut njerëzor,e gjendur midis asaj ulnare dhe asaj radiale, është një shembull i ndryshimeve mikroevolucionare në anatominë e brendshme të trupit të njeriut, sipas hulumtimeve nga shkencëtarë te Universitetit Flinders, Universitetit i Uellsit të Ri Jugor, Universitetit të Adelaide dhe Universitetit të Cyrihut.
Arteria mesore është ena kryesore që furnizon gjak në parakrah dhe dorë, kur formohemi në barkun e nënës, por ajo zhduket pasi të zhvillohen dy arteriet e tjera te cilat gjenden tek adultët.
Arteriet radiale dhe ulnare zëvendësojnë arteriet mesore gjatë fazave të zhvillimit në bark, kështu që shumica e të rriturve nuk kanë një arterie mesore, por numri i rasteve te personave tek te cilët duket se arteria mesore nuk zhduket, është ne rritje.
Arteria mesore tani është e pranishme në rreth 35% të njerëzve dhe studiuesit parashikojnë që njerëzit e lindur 80 vjet nga tani do ta posedojnë nëse tendenca vazhdon.
“Arteria mesatare ka avantazhe sepse rrit furnizimin e përgjithshëm të gjakut dhe mund të përdoret si zëvendësim në procedurat kirurgjikale në pjesë të tjera të trupit të njeriut,”, tha profesor Maciej Henneberg, studiues në Antropologjinë Biologjike dhe Njësinë Krahasuese të Kërkimit të Anatomisë në Universitetin e Adelaide dhe Institutin e Mjekësisë Revolucionare në Universitetin e Cyrihut.
“Ky është mikroevolucion tek njerëzit modernë dhe arteria mesore është një shembull i përsosur se si ne jemi vazhdimisht duke evoluar sepse njerëzit e lindur kohët e fundit kanë një përhapje më të lartë të kësaj arterie kur krahasohen me njerëzit nga gjeneratat e mëparshme.”
Në studim, profesori Henneberg dhe kolegët synuan të hetojnë përhapjen e arterieve mesatare të vazhdueshme te njerëzit pas lindjes gjatë 250 viteve të fundit dhe të testojnë hipotezën se ka ndodhur një prirje laike e rritjes së zotërimit së saj.
Ata gjetën gjithsej 26 arterie mesatare në 78 gjymtyrët e sipërm (një shkallë e zotërimit prej 33.3%) të marra nga Australianët e moshës 51 deri në 101 vjeç.
“Studimi ynë mbi zotërimin e arteries ndër breza tregon se njerëzit modernë po evoluojnë me një ritëm më të shpejtë se në çdo pikë të 250 viteve të fundit, “tha autori Dr. Teghan Lucas, studiues në Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin Flinders dhe Shkollën e Shkencave Mjekësore në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor.
“Që nga shekulli i 18-të, anatomistët kanë studiuar përhapjen e kësaj arterie tek të rriturit dhe studimi ynë tregon se është në rritje të qartë.”
“Zotërimi i arteries mesore ishte rreth 10% te njerëzit e lindur në mesin e viteve 1880 krahasuar me 30% në ata të lindur në fund të shekullit të 20-të, kështu që kjo është një rritje e konsiderueshme në një periudhë mjaft të shkurtër kohore, kur bëhet fjalë për evolucionin.”
“Kjo rritje mund të ketë ardhur nga mutacionet e gjeneve të përfshira në zhvillimin e arterieve mesore ose probleme shëndetësore te nënat gjatë shtatëzanisë, ose të dy në të vërtetë,” shtoi ai.
“Nëse ky trend vazhdon, shumica e njerëzve do të kenë arterie mesatare të parakrahut deri në vitin 2100. Kur zotërimi i arteries te arrije 50% ose më shumë, ajo nuk do konsiderohet si një variant, por një strukturë normale njerëzore,” thanë autorët./ Përgatiti: Xhoela SHYTI