Pak më parë në qytetin e Shkodrës, është plagosur një person me arme me silenciator. Në njoftimin zyrtar paraprak Policia e Shtetit komunikon se:” Rreth orës 18:15′, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes…”.
Ndërkohë burime jo zyrtare nga Shkodra saktësojnë se bëhet fjalë për shtetasin 64 vjeçar Pashko Ujka, ish-kryetari i Komunës Velipojë, i cili është plagosur me armë me silenciator pranë shtëpisë së tij që ndodhet pranë kishës Ortodokse. Mirëpo kush është Pashko Ujka? Gjatë legjislaturës 2005-2009, ishte deputet i PDK-së, madje kryetar i këtij grupi parlamentar, pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike. Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e Partisë Demokristiane që drejtohej nga Nikollë Lesi. Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së i mbështetur nga PS-ja në koalicionin “Për të Ardhmen”, duke arritur të zgjidhet kryetar i Komunës Velipojë për kohën 2011-2015. Ende nuk dihet arsyeja e ngjarjes, por mësohet se ai është qëlluar nga pas shpine në kurriz./ArberiaNews.net