Nga e Hëna, Italia ashpërson rregullat për të pavaksinuarit. Hyn në fuqi e ashtuquajtura “Supercertifikata e gjelbër” që ndalon të paimunizuarit ndaj COVID-19-ës, ata që nuk janë vaksinuar apo që nuk e kanë kaluar infeksionin 6 muajt e fundit, të hyjnë në ambjente publike të mbyllura si bare, restorante, diskoteka, teatro, stadiume e festa familjare apo shoqërore.
Të pavaksinuarit do të vazhdojnë të përdorin certifikatën e gjelbër bazë për mjetet e transportit publik, ku lejohen të hyjnë vetëm me test negativ të deri 72 orëve të fundit.
Dëshmia e testit negativ do të vazhdojë të pranohet në vendet e punës, në palestër, në hotele dhe jo shumë vende të tjera. Në bare e restorante nuk lejohet ulja në tavolinë për këtë kategori, përveçse marrja me vete e porosive.
Gjobat parashikohen të rënda për shkelësit, nga 400 deri në 1 mijë euro. Qeveria Dragi vendosi ashpërsimin e masave pas rritjes së ndjeshme të infektimeve ditore.
Që prej nisjes së këtij muaji, rastet e reja janë mbi 15 mijë, ndër më të lartat që prej Prillit. Shifrat e viktimave kanë pësuar një rritje të lehtë. Pa vaksinimin në kuota të larta në 79%, vdekshmëria mund të ishte në kuotat e frikshme të të njëjtës periudhë të një viti më parë, 10 herë më të larta.