Ramazan Rraja, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja u shpall në kërkim këtë të hënë nga policia e Lezhës. 28-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me dy shokët e tij, 29-vjeçarin Rohan Brahimi dhe 31-vjeçarin Alesio Dobrozi kanë hyrë të armatosur në ambientet e brendshme të një lokali në fshatin Zejmen. Ngjarje kjo e ndodhur në datë 13 nëntor të këtij viti.
Siç shihet nga pamjet e kamerave të sigurisë, Rraja së bashku me miqtë e tij kanë qenë të maskuar. Ata mbajnë në duar kallashnikov, ndërsa qëndrojnë aty për disa minuta. Pasi u kontrollojnë klientëve kartat e identiteti, ata largohen me qetësi.
Nga hetimet rezultoi, se tre autorët po kërkonin kushëririn e pronarit të lokalit, i cili sipas policisë, ishte konfliktuar më herët me një mikun e tyre të përbashkët. Pas kësaj ngjarje, tre të rinjtë dyshohet se janë larguar jashtë vendit.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Vrasje” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim. Ndërkohë u proceduan për moskallëzim krimi, personat që ndodheshin në ambientet e lokalit. Hetimet nisën pasi video u publikua në rrjetet sociale.
Rramazan Rraja është një emër i njohur për policinë. Ai është dënuar më herët për drogë jashtë vendit, ndërsa u hetua për dhunë nga uniformat blu. Kjo, pasi dhunoi në ambientet e qendrës spitalore “Nënë Tereza” një vajzë.