Biznesmenë të Llixhave në protestë para prefekturës
Protestojnë pronarët e zonës së Llixhave në Elbasan. Kjo zonë është shpallur më herët “Zonë turistike”, përvecse përfshihet në projektin e 100 fshatrave të vendimit të Qeverisë. Arsyeja e protestës mbetet gjobat e vëna nga IKMT për shfrytëzimin pa kriter të ujërave termale dhe aq më tepër, pa marrë leje të posaçme. Pronarët kanë sqaruar se, ata kanë proceduar sipas ligjit për zonat turistike dhe shfrytëzimin e ujrave nëntoksore termale, që janë të bollshme në këtë zonë.
Ndërkohë, mësohet se IKMT, u ka vendosur gjoba prej 1 milion lekësh të rinj, jo pak, por 17 bizneseve, që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë. Pronarët e bizneseve kanë pohuar se kanë marrë leje nga shteti për shfrytëzim dhe që në vitin 2018 u kanë premtuar se dokumentacioni është në shqyrtim për shfrytëzimin e ujërave termale. Protesta e tyre është zhvilluar sot para prefekturës Elbasan.
Pronarët kanë deklaruar, se, nëse nuk merren në konsideratë kërkesat e tyre, do tu drejtohen organeve gjyqësore. Sakaq, një përfaqësi e tyre është pritur nga specialistë të prefekturës. Këta të fundit kanë premtuar se do të shqyrtojnë anën ligjore për gjobat e vëna.