Në një deklaratë për mediat Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega SHBA thekson se nisma amerikane për Ripërtëritjen e Demokracisë është një shpresë për demokracinë, gazetarët dhe mediat shqiptare. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dega SHBA, ky projekt amerikan po rikthen edhe një herë fuqimisht rolin dhe mediat në funksion dhe shërbime të vyera publike, zgjon ndërgjegjet e fjetura që toleruan shpërfilljen e demokracisë dhe abuzojnë me demokracinë ligjore
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në SHBA (USA)
Nisma amerikane rizgjim i kurajos profesionale dhe mbështetje madhore për lirinë e medias.
Neë York, 9 Dhjetor 2021
Nisma amerikane për Ripërtëritjen e Demokracisë dhe inkurajimi i medias së lirë, (i cili është kritik për demokracinë), janë një shpresë e madhe botërore dhe në mënyrë të veçantë, mbështetja më e madhe në kohën e duhur për demokracinë, gazetarët dhe mediat shqiptare.
UGSH, dega në SHBA e mbështet fuqimisht këtë nismë dhe axhendën e Samitit për Demokracinë, duke shumëfishuar besimin dhe optimizmin se kjo iniciativë dhe paketa financiare shoqëruese e Departamentit Amerikan të Shtetit, shumëfishojnë besimin e komunitetit të gazetarëve në Shqipëri, në krejt skenat mediatike në hapësirën shqiptare dhe atë të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Ky projekt amerikan po rikthen edhe një herë fuqimisht rolin dhe mediat në funksion dhe shërbime të vyera publike, zgjon ndërgjegjet e fjetura që toleruan shpërfilljen e demokracisë dhe abuzojnë me demokracinë ligjore. Kjo nismë me përmasa globale, e ve klasën politike shqiptare, kapitalistët dhe pronarët mediatikë shqiptarë, para një situate dhe realiteti të ri përgjegjësie në raport me mediat, gazetarët dhe sidomos publikun e shoqërinë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega SHBA (USA), në mbështetje të nismës dhe projekteve derivuese të saj, u bën thirrje institucioneve politike, atyre të legjislativit, Qeverisë dhe Drejtësisë në Shqipëri, të investohen seriozisht për rritjen e transparencës publike, për respektimin e legjislacionit për të drejtën informuese dhe detyrimin ligjor për transparencë dhe vënie në dispozicion të dokumentacioneve zyrtare për fusha të interesit të gjerë publik si investimet, financimet publike, administrimin, llogaridhënien dhe disponimin ndaj çdo medieje dhe gazetari.
UGSH, dega SHBA shpreson se komuniteti i gazetarëve profesionistë në Shqipëri në këtë nismë do të gjejnë mbështetjen dhe inkurajim më të fuqishëm, për shtimin e përgjegjësisë profesionale dhe rritjen e kurajos dhe sakrificave në kërkim të besueshmërisë publike dhe të pavarësisë raportuese. Kjo është rruga e vetme për kontributin tonë të pazëvendësueshëm për forcimin e demokracisë dhe ndaljen e çdo autoritarizmi apo tranzicioni shtet dhe ligj-kapës, sikundër po ndodh në këto tri dekada të fundit.
UGSH, dega SHBA apelon për shumëfishimin e solidaritetit brenda komunitetit tonë dhe ngritjen e institucioneve vetërregulluese, të cilat lartësojnë besimin dhe seriozitetin e misionit tonë në sy dhe shërbim të publikut, shoqërisë dhe interesit për demokracinë funksionale.
Zyra Informuese
Unioni I Gazetarëve Shqiptarë
Dega USA (Neë York-USA)