Afera e incerenatorëve, korrupsion zyrtarësh apo kapja e shtetit nga mafia e plehrave?

5 Minuta Lexim

Në vitet 2000’, mafia provokoi një krizë të rëndë mjedisore në Siçili. Qytetet e ishullit u mbuluan nga pirgjet e plehrave duke e detyruar qeverinë italiane të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Por mafia kishte llogaritur gjithçka. Personi që u emërua si komisar i jashtëzakonshëm për zgjidhjen e krizës ishte presidenti i rajonit të Sicilisë, Salvatore Cuffaro. Ky ishte zgjedhur aty me votat e mafias.

Nga Klodian TOMORRI –

Sapo mori detyrën, Cuffaro e kishte gati zgjidhjen. Ai shpalli menjehërë tenderat për ndërtimin e 4 inceneratorëve të mëdhenj, në Sirakuza, Palermo dhe Catania. Një biznes 6 miliardë euro, por që nuk u realizua dot asnjëherë. Arsyeja? Prokuroria italiane e pikasi se pas tenderave qëndronin kompanitë e lidhura me Cosa Nostra-n dhe bllokoi gjithçka. Tenderat u anulluan, Cuffaro përfundoi në pranga.

Plehrat janë biznesi më i lakmuar i mafies. Madje më i lakmuar edhe se sa trafiku i kokainës pasi është një biznes legjitim dhe ofron mundësi për pastrimin e parave që vijnë nga aktivitetet e tjera kriminale. Dhe skemat si si mafia kërkon ta marrë këtë biznes janë të njëjtat thuajse kudo. Tani riktheni pak në kujtesë ngjarjet në Shqipëri.

Në shtator të vitit 2014, homologu i Cuffaros në Elbasan, Qazim Sejdini, shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore. Dy muaj më parë, në Tiranë ishte krijuar një kompani me emrin Albtek Energji dhe tre muaj më pas qeveria i akordoi asaj koncesionin 22 milionë euro për ndërtimin e një inceneratori. Pra në korrik u krijua kompania. Në shtator, këshilli bashkiak në Elbasan shpalli gjendjen e emergjencës dhe në 16 dhjetor, qeveria i dha koncesionit.

Ai që nisi në Elbasan ishte mirëfilltazi skenari siçilian. Me një ndryshim të vetëm. Këtu mafia nuk ishte Cosa Nostra, por vetë shteti. Për të kuptuar këtë, mjafton të rikthehet në vëmendje sjellja dhe veprimet e shtetit në këtë histori.

Në tetor të vitit 2013, vetëm dy javë pasi kishte ardhur në pushtet, mazhoranca socialiste miratoi ligjin për ndalimin e importit të mbetjeve. Ky ishte hapi i parë i planit për të shtënë në dorë biznesin e plehrave. Teksa publiku dhe shoqëria civile u gëzuan se në Shqipëri nuk do të hynin më plehra, ndalimi i importit të mbetjeve kishte qëllim tjetër;  falimentimin në bllok të të gjithë industrisë së riciklimit, që në atë kohë numëronte mbi 60 kompani dhe qindra milionë dollarë investime.

Falimentimi i fabrikave të riciklimit me ligj, shkaktoi krizën e plehrave. Në Elbasan dhe qytete të tjera të vendit filluan të shfaqeshin pirgjet me mbetje. Pas krijimit të krizës, duheshin marketuar në publik inceneratorët si zgjidhja dhe shpëtimi i vendit. Për këtë u kontraktuan palaçot mediatikë në të gjithë spektrin e medias si majtas dhe djathtas.

Pas koncesionit të Elbasanit, modeli i inceneratorëve u shtri në Fier dhe kulmoi në Tiranë. Në vetëm pak kohë, tre biznesmenë kontrovers, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja shtinë në dorë monopolin e plehrave në të gjithë Shqipërinë, një biznes të paktën 500 milionë euro. Pra, në Shqipëri, tre biznesmenë të dalë nga hiçi dhe pa asnjë eksperiencë në fushën e mbetjeve, arritën të shtinin në dorë atë që Camorra dhe Cosa Nostra e ëndërronin prej vitesh në Itali. Sepse në Shqipëri, shteti ishte vetë Cosa Nostra.

Që nga viti 2013, e gjithë makineria e pushtetit ka punuar e koordinuar për të vënë në jetën planin e inceneratorëve. Akti i fundit që përmbylli planin ishte provokimi i krizës mjedisore në Durrës për të zgjeruar me 150 milionë euro të tjera biznesin e inceneratorit fantazmë në Tiranë.

Teksa afera rëndohej dhe kutërbonte gjithmonë e më shumë, në thes duheshin futur edhe segmente të opozitës, tatimeve por edhe drejtësisë, me qëllim që era e keqe të mos ndihej. Kjo është ajo që ka ndodhur.

Me pak fjalë, inceneratorët nuk janë thjesht korrupsion i disa zyrtarëve, por mirëfilltazi kapje e shtetit e madje edhe më shumë se kaq, korruptim i shoqërisë. Kjo është një aferë që i ka zhytur të gjithë në m*t. Ndaj nëse do të hetohet me të vërtetë, në Shqipëri do të ndodhë tërmet dhe vendi do të mbetet pa qeveri, pa klasë politike, pa media dhe madje edhe pa shkrimtarë sharlatanë, ortak me m*tin e plehrave.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull