Përmbyten serat me luleshtrydhe/ Fermerët në protestë: Shteti të na kompesojë

3 Minuta Lexim

Fermerët e luleshtrydheve në zonën e Kafarajt dhe Frakullit në Fierit dolën në proteste këtë të enjte për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

Ata akuzuan autoritetet për neglizhencë. Sipas tyre, shkak për daljen e lumit Vjosa nuk u bënë reshjet, por ura në autostradë dhe argjinatura mbrojtëse e ngritur në Ferras.

Boll na keni rënë në qafë. Hera e katërt që përmbytemi. Duam që ura e autostradës së re të zgjerohet. Jemi mbytur më shumë se herët e tjera. Po këta nuk vijnë të shikojnë. Cfarë doni ju të bëjmë ne sot, thoshte ministrja e Bujqësisë. I thashë ik futja gjumit se duhet të kishit ardhur më herët të bënit urën dhe kanalizimet.

 Për gjithcka ka një shkak, një pasojë. Për mua nuk na ka mbytur perëndia, na ka mbytur njerëzia apo më saktë qeveria. Pse e them këtë? Ngritën argjinatura dhe ngushtuan lumin.

 Kam investuar rreth 30 milionë lekë në tre dynym sera. Dhe lumi e bëri dëmin edhe kësaj here, por më shumë se herët e kaluara. Dëmi na ështe bërë fal argjinaturës që kanë bërë poshtë në Ferras. Ne prodhimin e humbëm, fuqinë punëtore s’do e marrim në punë.

Për shkak se serat ndodhen anës lumit, asnjë kompani sigurimi nuk ua ka marrë përsipër mbrojtjen pasi cilësohen biznes me risk.

Për këtë sindikata e bashkuar e fermerëve i kërkoi qeverisë që të ndërhyjë pasi dëmi i shkaktuar është rreth 400 mijë euro.

 EDUARD SHARKA-SINDIKATA E BASHKUAR E FERMEREVE 

 Jemi këtu për të mbështetur fermerët të cilët kërkojnë një të drejtë të ligjshme. E drejta e tyre është kompesimi nga përmbytja. Këta fermerë nuk kanë patur akses të sigurojnë serat pasi janë biznes me risk. Qeveria nuk ka bërë asgjë për sigurimin e serave. Askush nuk ka ardhur për të vlerësuar, as për të pastruar kanalet. Dëmi rreth 400 mijë euro për 30 deri në 40 hektarë sera. Duhet nderhyrje e qeverisë që të nxisë sigurimin.  

Autoritetet bashkiake thanë se janë ende duke punuar për evidentimin e dëmeve dhe se shumë shpejt do të dalin me një bilanc.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull