Lumturia vjen nga tejkalimi i problemeve!

3 Minuta Lexim
Nga Zygmunt BAUMAN-
Sipas Zygmunt Baumanit, lumturia nuk konsiston assesi në një jetesë pa probleme. Lumturia vjen nga tejkalimi i problemeve, nga zgjidhja e vështirësive. Çdo qenie njerëzore, sapo vë këmbën në këtë planet, në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të jetës obsesionohet nga i vetmi qëllim specifik: të jetë i lumtur. Rrugët që zgjedh të marrë gjithsecili prej nesh janë të pafundme, por, në përgjithësi, të gjithë synojnë drejt të njëjtit drejtim. Veçse problemi qëndron në faktin, se, sapo përshkon njërën prej tyre, befas shumë të tjera rezultojnë të jenë të gabuara. Zygmunt Bauman ka bërë hulumtime të shumta në lidhje me këtë çështje.
Lumturia e vërtetë
Tema të tilla si lumturia, nga pjesa dërrmuese e intelektualëve, janë konsideruar si tepër ç’angazhuese për t’u trajtuar. Përkundrazi, Bauman, nuk kishte frikë të fliste për aspiratën kryesore që bashkon gjithë njerëzimin. Duke iu referuar shpjegimeve se çfarë është lumturia, në “Teoria suedeze e dashurisë”, teoricieni i modernitetit fluid shprehet: “Nuk është e vërtetë se lumturi do të thotë një jetë pa probleme. Jeta e lumtur vjen nga kapërcimi i problemeve, nga zgjidhja e vështirësive. Duhet të përballemi me sfidat, të bëjmë më të mirën e mundshme. Lumturia arrihet kur kuptohet se dikush është në gjendje të kontrollojë sfidat e paraqitura nga fati, ndjehesh i humbur nëse shtohet rehatia”. Sa më shumë të përpiqemi, të luftojmë, të bëjmë zgjedhje kuptimplota, aq më shumë do bëjmë të mundur shkurtimin e distancës që na ndan nga lumturia. Një luftë që, megjithatë, nuk duhet të trajtohet në mënyrë të vetmuar.
Kurthi i pavarësisë
Në dekadat e fundit, njerëzit kanë mësuar gjithnjë e më shumë të jenë të pavarur, të mos varen nga të tjerët, duke bërë të pamundurën që të jetojnë mirë edhe vetëm, të ndjehen mirë me vetveten. Por, sipas Bauman, ky është drejtimi i gabuar. Njerëzit që dinë të jenë të pavarur po humbasin dalëngadalë aftësinë për të jetuar me të tjerët, sepse ata kanë humbur aftësinë për t’u shoqërizuar. “Sa më shumë që të jeni i pavarur, – thotë Bauman në “Teorinë suedeze të dashurisë”, – aq më të paaftë jeni për ta kontrolluar pavarësinë tuaj dhe ta zëvendësoni atë me një ndërvarësi të këndshme”. “Nga ana tjetër është më se e kuptueshme që të krijosh marrëdhënie shoqërore me të tjerët është shumë e ndërlikuar, për të bërë diçka të tillë duhet të jeni në gjendje të pranoni kompromise, të plotësoni nevojat e të tjerëve, të keni durim. Natyrisht, është e komplikuar, por nga marrëdhëniet lind lumturia, jo pavarësia”. Sipas Bauman: “Në fund, pavarësia çon në një jetë të zbrazët, të pakuptimtë, në një mërzi absolute tmerrësisht të paimagjinueshme”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull