Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.
Mediu nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar. Shkelje u konsiderua sipas mbrojtjes dhe fakti se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.
Vendimi u mor nga treshja e gjyqtarëve e kryesuar nga Albana Boksi, me anëtarët Ilir Panda dhe Sokol Binaj.
Ish ministri i Mbrojtjes dorëzoi më 1 nëntor rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshtote vendimin e Apelit të GJKKO që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit të Mediut. Avokati Ardian Visha, argumenton se vendimi është antikushtetues dhe cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës.