Nga Aleksandër ÇIPA-
Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e Kinës e mbajtur në gjysmën e parë të muajit dhjetor 2021 në Pekin, mori vëmendje të shtuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kjo konferencë jo vetëm përcaktoi drejtimin e ekonomisë së Kinës në vitin e ardhshëm (2022), por dha sinjale të rëndësishme për vijueshmërinë e planifikimit ekonomik të Kinës, ku qëndrueshmëria vlerësohet si gurthemel i saj.
Si një ndër ekonomitë me më shumë peshë në botë, kjo mund të jetë një iniciatore e rigjallërimit në rang botëror, por edhe shembull për mënyrën se si ky rigjallërim duhet të formësohet.
Fakti që “fronin” e fokusit të kësaj konference e zuri qëndrueshmëria, nuk është surprizues.
Prej disa treguesve potencialë, dëshmohet se qeveria e Kinës duket të ketë bërë një reflektim të thellë rreth performancës ekonomike të vitit të kaluar dhe situatës aktuale. Në dy vitet e fundit PBB-ja kineze u rrit mesatarisht me 5,2% në vit. Kjo ekonomi pati një rol prej kryesuese në zhvillimin ekonomik dhe në kontrollin e pandemisë, ndërkohë që ende kemi ezauruar vetëm gjysmën e historisë. Lufta me pandeminë dhe realiteti i turbullt ekonomik në rrafshin global, përbëjnë disa sfida shqetësuese për rritjen dhe stabilitetin e vitit në të cilin po hyjmë.
Një ngadalësim në rritje është vërejtur që në kuartalin e fundit të vitit. Kjo po ndodh për shkak të problemeve të ndryshme të lidhura me COVID-19, tkurrjen e përgjithshme në furnizim ose edhe një rënie të theksuar në shpenzimet për konsum. Në këtë realitet të ndërlikuar, me sfida të ngjashme me ekonomitë e tjera të mëdha, Kina synon të stabilizojë rritjen ekonomike duke u përqendruar në një zhvillim cilësor. Forcimi i zinxhirëve të furnizimit është pjesa tjetër e kësaj strategjie për ecurinë e fuqisë ekonomike më tej.
Mirëpo, për të arritur qëndrueshmërinë e shumëdëshiruar, qeveria kineze duhet të luajë një rol aktiv për të rritur investimet dhe konsumin. Për këtë arsye një nga pikat e rëndësishme të konferencës ishte dhe planifikimi i një politike aktive fiskale dhe të qëndrueshme monetare. Për
t’i dhënë një frymëmarrje të re ekonomisë së vendit, Kina planifikon ulje taksash, injektime të ndryshme kapitali si edhe një zhvillim të produktivitetit.
Në këtë konferencë Kina shfaqi dhe njëherë shqyrtimin e risqeve, qartësinë gjykuese ndaj situatës, dhe vetëdijen institucionale se sfidat me të cilat ajo pritet të ndeshet, në vitin e ardhshëm, do të jenë krejtësisht të ndryshme nga ato që ka ndeshur deri tani. Sigurimi dhe vijimi i një rritjeje të madhe ekonomike nuk është më qëllimi kryesor, por është arritja e një rritjeje në nivele të qëndrueshme. Rritja e madhe që ajo pati në vitet e kaluara edhe në bazë të prodhimit me përdorim intensiv resursesh, eksporteve ose punën me pagesë të ulët, arriti limitet e veta. Tanimë ndjehet nevoja për të bërë një ndryshim në prodhim dhe për të kaluar vëmendjen nga investimi në konsum. Për t’u përballuar me këtë realitet të ri, Kina është e gatshme të marrë reforma të ndryshme për përmirësimin e strukturave ekonomike dhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit, si edhe duke i mëshuar zhvillimit të teknologjisë.
Gjithashtu duke qenë koherente me politikat e mëparshme, Kina dhe njëherë rikthehu si pikë të planit të saj zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. Kjo ka qenë në mënyrë konstante pjesë e retorikës së politikëbërjes kineze. Jo vetëm vendimet e mëparshme rreth emetimeve të karbonit qenë pjesë e konferencës, por edhe politika të reja rreth zhvillimit të teknologjisë sidomos në fushën e energjetikës.
Të gjitha këto reforma të brendshme në Kinë janë të ndërlidhura me vendet dhe ekonomitë e tjera dhe kjo në një mënyrë të dyanshme. Fillimisht Kina do të vazhdojë me politikën e saj për të tërhequr investime të huaja duke hapur dyert e saj. Për këtë, është bërë një investim i madh në imazhin e saj si një vend me mundësi profitabiliteti dhe projekte të mëdha lukrative. Ndërkohë që ka indikatorë të shumtë që investitorët po rikthejnë interesin për asetet kineze, Kina në të njëjtën kohë po synon të rrisë influencën e saj nëpër botë duke rritur volumin e investimit.
Mbetet për t’u parë nëse plani ekonomik i Kinës do të përfundojë me rezultatet e synuara dhe në qoftë se qëndrueshmëria e kërkuar do të mund të arrihet për kohën vijuese. Efektet e këtyre politikave do të kenë ndikim edhe në ekonomitë e tjera globale. Në këtë optikë, suksesi i Kinës mund të jetë një katalizator i rëndësishëm i ekonomisë botërore në sfidën e madhe të realitetit covidian. Gjithashtu, fryma e lehtësimit të ekonomisë dhe investimit në ekonominë e gjelbër ka mundësi të shpërhapet dhe të transmetohet edhe më tej nëpër ekonomitë e tjera të mëdha për të arritur një qëndrueshmëri globale. Është qartazi një projekt me dimensione për të cilin përditshmërisht po shtohet interesimi i operatorëve ekonomikë dhe shteteve që synojnë kapitalizimin e ekonomisë së gjelbër.