Sot më tepër se për të gjetur kush është përgjegjës për nxjerrjen e sekretit mbi pagat, ka nevojë të hetohen me laps në dorë listë pagesat dhe të nxirren para gjyqit rrjepësit e ekonomisë shqiptare… Nuk ka nevojë të jesh gjeni i financave për të kuptuar se çfarë fshihet pas pagave faraonike që paguajnë koncesionet dhe pastruesit e parave. Mjafton një Prokuror me aftësi mesatare…
Nga Erion DASHO –
Nxjerrja në shesh e pagave tregoi se në Shqipëri tashmë ekzistojnë tre tregje pune. Tregu i parë është ai i biznesit të ndershëm që punon e djersitet, fiton, paguan taksat dhe paguan edhe pagat. Ky biznes paguan paga në kufijtë e mbijetesës, jo sepse është i pashpirt, por sepse aq është fuqia paguese e një prej ekonomive më të varfëra në Europë.
Tregu i dytë është ai i PPP-ve që paguajnë paga faraonike. Sepse buxheti i shtetit i ble shërbimet e koncesioneve me çmime shumë më të larta se tregu. Koncesionet duket se janë parajsa e hajdutëve me jaka të bardha. Shteti “hap thesin” dhe thesi ka miell për të gjithë.
Tregu i tretë është tregu i pastrimit të parave. Ky treg ka vite që e shkatërron biznesin e ndershëm pasi e konkurron atë në çdo aspekt. Një dyqan, fabrikë, apo biznes çfarëdo që pastron pare nuk merakoset për kostot dhe fitimin. Ata kanë nevojë thjesht për xhiro.
Sot nuk ka nevojë të jesh gjeni i financave për të kuptuar se çfarë fshihet pas pagave faraonike që paguajnë koncesionet dhe pastruesit e parave. Mjafton një Prokuror me aftësi mesatare, vullnet për të zbërthyer skemat korruptive dhe vendosmëri për të çuar para ligjit abuzuesit.
Sot më tepër se për të gjetur kush është përgjegjës për nxjerrjen e sekretit mbi pagat, ka nevojë të hetohen me laps në dorë listë pagesat dhe të nxirren para gjyqit rrjepësit e ekonomisë shqiptare.
Përndryshe, biznesi i ndershëm që punon e paguan taksa, asnjëherë nuk ka për të ngritur kokën.
Ky është dëmi i jashtëzakonshëm që bëjnë dy tregjet “alternativë” dhe fatkeqësia e vërtetë e këtij vendi..