Katër muaj pasi trupat e fundit amerikane u larguan nga Kabuli, Uashingtoni mbetet ende i përhumbur nga tërheqja e tij nga Afganistani si edhe nga fakti që ai e di shumë mirë se krizat që tani po e mbërthejnë atë vend, nuk ka gjasa të mbeten atje, shkruan Vance Serchuk* për gazetën e njohur amerikane ”Wall Street Journal”.
Megjithatë, nëse ka një histori shpresëdhënëse për të dalë nga fatkeqësia afgane e këtij viti, ajo mund të jetë në Ballkanin Perëndimor, një rajon që vetëm një gjeneratë më parë përjetoi një largim në masë refugjatësh, por që doli në ballë verën e kaluar si një strehë e papritur për ata që iknin nga talebanët. Dhe të gjithë këtë e kryesoi Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë. Edhe para rënies së Kabulit, zoti Rama e mori këtë vendim të jashtëzakonshëm për të ofruar strehim të përkohshëm për afganët e rrezikuar, që nuk kishin ku të shkonin.
Që nga fundi i gushtit, më shumë se 2 000 afganë dhe familjet e tyre, përfshirë figura të shquara grash, gazetare dhe aktiviste të shoqërisë civile, janë evakuuar nga organizata joqeveritare të palëve të treta. (Ndër OJQ-të e përfshira është edhe fondacioni ”Për të ardhmen e Afganistanit”, në bordin e të cilit unë shërbej.) Në vend që ta fshihnin apo ta nënvlerësonin këtë fluks të huajsh, liderët e Shqipërisë i kanë përqafuar ata me krenari kombëtare.
Kur avionët e parë me afganë u ulën në aeroportin e Tiranës këtë verë, kryeministri shqiptar ishte në pistë për t’i përshëndetur ata personalisht. Për refugjatët e traumatizuar që mbërrinin pa para’ në një tokë të huaj, prania e zotit Rama ishte një gjest i jashtëzakonshëm për të treguar se Shqipëria do t’i trajtonte afganët jo si një barrë për t’u duruar, por si mysafirë të nderuar që meritojnë respekt.
Për këtë arsye zoti Rama ndaloi strehimin e afganëve në kampe dhe në vend të kësaj i akomodoi ata në një kompleks turistik bregdetar. Veprat e drejtuesve të Shqipërisë kanë qenë në përputhje të plotë me fjalët e tyre. Si në trajtimin mjekësor, shpërndarjen e rrobave dimërore apo organizimin e kurseve të anglishtes, shqiptarët brenda apo jashtë qeverisë kanë qenë partnerë krijues dhe të palodhur në kujdesin për refugjatët afganë.
Kjo ka qenë edhe më mbresëlënëse duke pasur parasysh burimet e kufizuara të Shqipërisë. Një nga vendet më të vogla dhe më të varfra të Evropës ka qenë ndër më bujarët në përgjigjen ndaj krizës afgane. ”Ajo që kemi bërë nuk duhet të konsiderohet e jashtëzakonshme”, më thotë zoti Rama në një intervistë. “Si mund të kishim bërë ndryshe?”, pyet ai.
Në shpjegimin e vendimit për të strehuar afganët, zoti Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka evokojnë përvojat e vetë shqiptarëve me luftën dhe shpërnguljet gjatë trazirave ballkanike të viteve 1990.
”Ne e dimë se si është të detyrohesh të largohesh nga shtëpia, nga vendi yt”, thotë zonja Xhaçka.
Ata citojnë gjithashtu heroizmin e kombit të tyre në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Shqipëria me shumicë myslimane i dha fund Luftës së Dytë Botërore me një komunitet më të madh hebre se para fillimit të saj. Megjithatë, cinikët paralajmëruan verën e kaluar se dashamirësia e Shqipërisë do të rezultonte një bumenrang duke provokuar një reagim të brendshëm politik, një kërcënim terrorist apo një vërshim refugjatësh. Asnjë nga këto frikëra nuk u materializua. Afganët që mbërrijnë në Shqipëri janë pranuar përmes një procesi të kontrolluar me kujdes dhe në një numër të menaxhueshëm.
Ata priren të jenë profesionistë të arsimuar me lidhje të ngushta me Perëndimin, thënë ndryshe lloji i njerëzve të terrorizuar nga ekstremistët islamikë, jo të radikalizuar prej tyre. Për këtë arsye, shumica kanë edhe raste të forta për të ikur në SHBA.
Është në interesin e Uashingtonit që Shqipëria të mos penalizohet për performancën e saj në këtë krizë, përpara se të shteren kapacitetet e saj bamirëse. Administrata Biden duhet të dërgojë personel amerikan për të përpunuar kërkesat e refugjatëve afganë të evakuuar në Shqipëri. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i tha Kongresit në shtator se kjo do të ndodhte, por kjo ende nuk ka ndodhur. Në praktikë, administrata Biden i ka dhënë më shumë prioritet afganëve të dërguar në bazat ushtarake të SHBA-së sesa atyre të evakuuar në vende të treta si Shqipëria.
Por, situata e krijuar në aeroportin e Kabulit verën e kaluar nënkuptonte se ishte shpesh arbitrare nëse dikush përfundonte me një transport të Forcave Ajrore për në Katar apo me një fluturim çarter për në Ballkan. Gjithashtu arbitrare: Administrata Biden ka lënë të kuptohet se mund t’i trajtojë afganët e sjellë në Shqipëri përpara 31 gushtit ndryshe nga ata që mbërritën më pas. Kjo do të ishte në kundërshtim me premtimet e Shtëpisë së Bardhë verën e kaluar se angazhimi i saj ndaj afganëve të rrezikuar nuk do të zvogëlohej pas tërheqjes ushtarake të SHBA. Ajo që nevojitet është një zgjidhje e plotë, e udhëhequr nga SHBA, për komunitetin afgan në Shqipëri.
Në një kohë kur shumë amerikanë kanë humbur besimin në aftësinë e tyre për të ndryshuar botën për mirë, lidershipi i Shqipërisë duhet të shërbejë si një udhëzues. Një çerek shekulli më parë, SHBA mblodhi me sukses demokracitë transatlantike për t’i dhënë fund dhunës gjenocidale që shpërbëu ish-Jugosllavisë. Tani, Ballkani Perëndimor mund t’i kujtojë një Perëndimi të demoralizuar se si duhet të duket një lidership parimor global dhe pse është ende e nevojshme një gjë e tillë.