Ç’mund të mësojë bota nga Japonia

8 Minuta Lexim

Mbi Japoninë rrëfehen shpesh 2 histori. E para është ajo e një kombi në rënie, me një popullsi në tkurrje dhe në plakje. E dyta është e një shoqërie tërheqëse, hiper-funksionale, disi ekscentrike, ai i një vendi të këndshëm për të ngrënë sushi, apo për të eksploruar nën-kultura të çuditshme, por me pak peshë në botën e jashtme.

Të dyja këto histori, i nxisin njerëzit të nënvlerësojnë Japoninë. Por ky është një gabim. Japonia nuk është një thjesht një vend i jashtëzakonshëm. Ajo është në pararojë të zhvillimeve të ardhshme. Shumë nga sfidat me të cilat po përballet tashmë ky vend, do të prekin vendet e tjera shumë shpejt, përfshirë plakjen e shpejtë, stanjacionin ekonomik, rrezikun e fatkeqësive natyrore, dhe rrezikun për t’u bllokuar në mesin e një konflikti midis Kinës dhe Amerikës.

Fakti që disa nga këto probleme e goditën Japoninë që herët, e bën këtë vend një laborator të dobishëm për të vëzhguar efektet e tyre, dhe për të gjetur mënyrën se si duhet reaguar. Një nga leksionet është se shoqëritë duhet të mësojnë të jetojnë me rrezikun pranë.

Ndërsa ndryshimet klimatike po shtohen dhe bashkë me to edhe rreziqet natyrore, vendet duhet të jenë në gjendje të dalin nga kjo krizë. Përvoja e dhimbshme e ka shtyrë Japoninë të investojë shumë tek qëndrueshmëria. Urat dhe ndërtesat janë të pajisura me mekanizma specifikë, për t’i bërë ato rezistente ndaj tërmeteve.

Pas një tërmeti të madh që goditi Koben në vitin 1995, duke lënë shumë njerëz pa ujë, qyteti ndërtoi një sistem nëntokësor për të ruajtur furnizimin më ujë deri në 12 ditë për banorët.

Shumë japonezë e kuptojnë se reagimi ndaj fatkeqësive natyrore është problem i të gjithëve, dhe jo vetëm i shtetit.

Kjo gjë e ka ndihmuar shumë gjatë pandemisë aktuale:mbajtja e maskave ka qenë praktikisht universale. Ndër vendet e G7-ës, Japonia ka shkallën më të ulët të vdekjeve nga Covid-19, dhe shkallën më të lartë të vaksinimit me 2 doza.

Një leksion tjetër është se demografia ka rëndësinë e saj. Shumica e shoqërive një ditë do të plaken dhe tkurren si Japonia. Deri në vitin 2050, 1 në gjashtë 6 njerëz në botë do të jenë mbi 65 vjeç, nga vetëm 1 në 11 në vitin 2019. Popullsia e 55 vendeve, përfshirë Kinën, parashikohet të bjerë nga tani e deri në vitin 2050.

Të dhënat e fundit sugjerojnë se India do të tkurret më shpejt se sa pritej. Ashtu si ndryshimi i klimës, edhe ndryshimi demografik është i gjerë, gradual dhe duket abstrakt, derisa sa nuk është më i tillë. Dhe si ndryshimi klimatik, ai do të kërkojë një transformim, si të institucioneve, ashtu edhe të sjelljes individuale.

Qeveria japoneze u kërkon kompanive që të mbajnë stafin në punë deri në moshën 70 vjeç. Dhe shumë prej tyre po qëndrojnë në punë:33 për qind e 70-74 vjeçarëve janë aktualisht në punë, nga 23 për qind një dekadë më parë. Ndryshimi demografik sjell sfida të mëdha ekonomike.

Japonia është rritur ngadalë në aspektin ekonomik dekadat e fundit, kryesisht për shkak të tkurrjes së popullsisë së saj. Megjithatë, nëse shihni mirëqenien e japonezëve, panorama është shumë më e mirë. Në dekadën e viteve 2010-2019, Japonia gëzonte normën e tretë më të lartë mesatare të rritjes së PBB-së për frymë në gjirin e G7-ës, vetëm pas Gjermanisë dhe Amerikës.

Japonia është një kreditore e madhe, dhe ekonomia e tretë më e madhe në botë sipas kursit aktual të këmbimit. Qytetarët e saj jetojnë më gjatë se qytetarët e çdo vendi tjetër. Ajo është shtëpia e investitorit më të madh të teknologjisë në planet, një firme pioniere në teknologjinë 5G dhe një mori markash globale, nga Uniqlo tek Nintendo.

Ekspertiza e saj tek robotët dhe sensorët, do t’i ndihmojë kompanitë e saj të fitojnë para nga një gamë e gjerë teknologjish të reja industriale. Në rrafshin gjeopolitik, Japonia luan një rol kryesor midis Kinës, partneres të saj më të madh tregtare, dhe Amerikës, partneres së saj kryesore në fushën e sigurisë.

Edhe gabimet e Japonisë, ofrojnë një grup tjetër mësimesh për pjesën tjetër të botës. Të jetuarit me shumë rreziqe, e bën më të vështirë përcaktimin e prioriteteve. Përballë kaq shumë rreziqeve të mundshme, Japonia e shkëputi vëmendjen nga ndryshimi i klimës, fatkeqësia më e madhe nga të gjitha.

Në vitin 2020 ajo u zotua më në fund të zerojë emetimet e karbonit deri në vitin 2050, por detajet se si do ta arrijë këtë mbeten të paqarta. Politikanët i lidhin shpresat e tyre me rifillimin e punës së centraleve bërthamore, që u nxorën jashtë funksionit pas incidentit në Fukushima në vitin 2011.

Por ky skenar nuk ka shumë gjasa, për sa kohë që publiku i mbivlerëson rreziqet e energjisë bërthamore. Ndërkohë shumë burokratë, mbeten skeptikë ndaj energjisë së rinovueshme. Prandaj Japonia vazhdon të djegë qymyr për të prodhuar energji, që është karburanti më ndotës.

Një mënyrë për të adresuar problemin e një popullsie në tkurrje, është të përfitoni sa më shumë nga njerëzit. Japonia nuk do ta përmbushë kurrë potencialin e saj, për sa kohë që shumë prej qytetarëve të saj me arsim të lartë, u mohohet shansi për të përmbushur potencialin e tyre.

Promovimi i bazuar tek vjetërsia në kompanitë tradicionale, i kombinuar me respektin e tepruar të moshuarve, i ka mbyllur gojën të rinjve dhe e ndal inovacionin. Kjo është arsyeja pse shumë nga të sapodiplomuarit më të zgjuar preferojnë të punojnë për startup-et (kompanitë e reja novatore).

Japonia ka bërë një punë të mirë duke futur më shumë gra në fuqinë punëtore vitet e fundit, por ato kanë ende shumë pak shanse për t’u ngritur në përgjegjësi. Një sistem pune i dyfishtë i fut në kurth të rinjtë dhe gratë në punë të pasigurta dhe me kohë të pjesshme (gjë që i bën ata më pak të prirur për të pasur fëmijë).

Politikanët i tolerojnë që të gjitha këto, pjesërisht pasi ndjejnë pak presion për të vepruar ndryshe. Partia Liberal Demokratike qëndron thuajse pandërprerë në pushtet që nga viti 1955, falë një opozite shumë të dobët. Figura të larta, zakonisht pleq nga dinastitë politike, janë më konservatorë sesa publiku që supozohet të përfaqësojnë.

Nga ana tjetër për publikun, komoditeti i sotëm e errëson impulsin për të kërkuar një të nesërme më të shndritshme. Leksioni i fundit i Japonisë, ka të bëjë me rrezikun që sjell vetëkënaqësia. / bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull