Mister dhe heshtje, çfarë dihet tetë vjet nga aksidenti tragjik i Michael Schumacher

3 Minuta Lexim

Më 29 dhjetor 2013, plot 8 vite më parë, e gjithë bota u trondit nga lajmi i aksidentit të 7 herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher. Një aksident në alpet e Francës, teksa ishte duke bërë ski në Meribel, një ngjarje që ka lënë përgjithnjë gjurmë në jetën e pilotit gjerman, fansave dhe familjes së tij.

Schumacher, ashtu sikurse ishte mësuar në pistat e Formula 1, garon shpejt edhe në pistat e skive, duke shkuar përtej limiteve, por këtë herë rrezikoi. Përplasja me një shkëmb të vogël e pak të dukshëm ishte fatale për të, pasi impakti ishte i fortë. Ndihma e parë mjekësore iu dha menjëherë, por gjendja e tij është e rëndë.

Helikopteri e dërgon fillimisht në spitalin e Moutiers dhe më pas në atë të Grenoble, më i specializuar për dëmtimet në kokë. Pasi kalon një arrest kardiak dhe vuan nga hemoragjia celebrale, Michael operohet dy herë për të ulur presionin endokranik. Ndërkohë që, përreth spitalit mblidhen mijëra njerëz e tifozë që i urojnë shërim të shpejtë.

Ata janë të shumtë sidomos më 3 janar, ditëlindjen e pilotit, teksa qëndrojnë të panumërt në heshtje. Lajmet janë të pakta, pasi kështu kërkon edhe familja e pilotit. Schumacher është në gjendje të rëndë, kalon edhe një infeksion në mushkëri dhe qëndron 4 javë në koma artificiale. Më pas, 3 muajt e radhës i kalon në reanimacion.

Në qershor 2014 transferohet në një qendër universitare në Zvicër, por gjendja shëndetësore e Michael është sërish delikate. Në shtator 2014 vijnë lajmet e para pozitive, kur piloti transportohet në vilën e tij në Zvicër, e kthyer në një spital të vogël, me staf mjekësor të specializuar, që janë në krah të tij 24 orë.

8 vjet nga ky aksident i 29 dhjetori 2013, ende ka shumë mister në lidhje me gjendjen e Michael Schumacher. Asgjë nuk dihet për të, ku ndodhet, sa lëviz, dëgjon apo flet. Mister e heshtje nga familjarët e tij, ndërkohë që sot në pistat e Formula 1 garon djali i tij, Mick Schumacher. 8 vjet nga ai aksident dominon vetëm heshtje.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull