Gjeopolitika dhe gjeoekonomia: Cilat janë perspektivat për vitin 2022

6 Minuta Lexim

Nga Fabio Marco FABBRI-

Të gjitha pandemitë e mëdha kanë pasur historikisht efekte të rëndësishme tek shoqëria. Pandemia e Covid-19, që po vë në pikëpyetje institucionet shëndetësore vendase dhe ndërkombëtare, ekuilibrin ekonomik, logjikën ligjore, format e ndryshme të globalizimit, ka disa karakteristika të ndryshme nga ato të mëparshmet.

Në fakt, ajo po ndikon një rishpërndarjeje të pushtetit në të gjitha dimensionet e tij: dixhitale, kulturore, financiare, politike, shëndetësore, duke ngritur problemin e marrëdhënies ndërmjet pavarësisë dhe ndërvarësisë së shoqërive tona.

Këto çështje do të jenë objekt i analizave gjatë vitit të ardhshëm, por ndoshta edhe për një të ardhme më të gjerë. Ndër temat e rëndësishmet, jane ato që kanë të bëjnë me mënyrën e daljes nga pandemia e Covid-19, pra si të vlerësohet trashëgimia e drejtpërdrejtë e krizës në shoqëri, ekonomi, sistemet shëndetësore, kohezionin politik dhe borxhet e shkaktuara nga urgjenca.

Një temë tjetër mbi të cilën do reflektohet, do të jetë imazhi i ri i “pushtetit”; veprimet politike rreth Covid-it që e kanë përmbysur edhe rolin e “pushtetit”. Në kuadrin e emergjencës shëndetësore, shumë vende janë detyruar të vendosin shumë kufizime  kushtetuese, të cilat frenonin deri dje tendencat fiziologjike autoritare të atyre që janë në pushtet.

Po ashtu do të analizohet edhe mënyra se si përdoren mjetet teknologjike, madje edhe nga pikëpamja e kontrollit; se si u përdorën instrumente financiare që ndonjëherë kanë ndihmuar, por që shpesh kanë lejuar veprime që në rrethana të tjera ishin të paimagjinueshme.

Ndërkohë, duhet bërë një analizë e mëtejshme mbi rolin që ka sot lufta. Në këtë kontekst nuk mund të mos vlerësojmë luftën në Armeni në vjeshtën e vitit 2020, një ofensivë ushtarake ku Azerbajxhani, me mbështetjen vendimtare të Turqisë, rimori pas 30 vjetësh një pjesë të madhe të provincës së saj separatiste të Nagorno-Karabakut.

Kjo e fundit ka treguar se fuqia ushtarake, mund të prodhojë ende rezultate reale:përfitime territoriale, forcimin e një regjimi, suksesin strategjik të një rajoni. Ashtu si disa muaj më vonë, veçse me një mesazh krejt të ndryshëm, tërheqja e palavdishme e trupave amerikane nga Afganistani , “mesazhi” nënvizon në këtë rast kufijtë e “forcës”.

Këto dy raste ekstreme, tregojnë se sa e vështirë është të përcaktohet roli dhe funksioni i fuqisë ushtarake në gjeopolitikën e viteve të ardhshme. Sigurisht, edhe nëse nuk është vendimtare dhe as e vjetruar, forca e armatosur do të luajë gjithmonë një rol themelor si një impuls dhe si rregullator në rivalitetet strategjike.

Përveç kësaj, 30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, cilat janë perspektivat gjeostrategjike dhe të stabilitetit të sistemit politik dhe të ekonomisë në perimetrin territorial post-sovjetik?

Deri më sot, një fakt i sigurt është rikthimi i Rusisë në skenën ndërkombëtare me qeverinë e vet autoritare.

Ndoshta kjo e fundit ka qenë diçka e domosdoshme, pasi lidhet me një perceptim historik dhe ekuilibër social-politik, i cili është vështirë të konceptohet ndryshe, sidomos në nivelin  gjeostrategjik. Së fundi, për sa i përket perspektivës kineze, duke pasur parasysh projektet afatgjata të nisura, variantet gjeo-ekonomike nuk duket se kanë një ndikim të rëndësishëm për momentin.

Realiteti i pamohueshëm është se politika globale po përpiqet ende të imagjinojë një distancim nga ato dinamika të lindura nga kriza shëndetësore. Kjo i shtohet çorientimit në kuadrin e një kaosi normal global, atë që filozofi Piere Hasner (1933-2018) e cilësoi si një “koktejl i palexueshëm i botës”, duke e përshkruar karakteristikat e fillim-shekulli XXI të errët.

Megjithatë, shoqëria “jonë” është sot e shkatërruar më shumë se kurrë nga një pabarazi e madhe, një faktor që sigurisht mund të shkaktojë një “shok sociologjik”, gjë që ka qenë historikisht një parakusht për rebelime apo revolucione. Sistemi aktual duket qartazi i paaftë që ta zgjidhë këtë problem.

Në këtë kontekst ne shohim një luftë kulturore, e cila është përhapur në një shkallë pothuajse globale, dhe që po e thekson hendekun midis të pasurve dhe të varfërve, duke ndarë të rinjtë nga të moshuarit, klasat më pak të arsimuara nga ato të arsimuara, tregjet e “kontaktit fizik” nga ato online, inflacionin përkundrejt deflacionit, LGBT-të kundër heteroseksualëve që janë gjithashtu në një “luftë” me njëri-tjetrin, politikën nga anti-politika, “realitetin” e përhapur nga media dhe rrjetet sociale përkundër ndryshimeve reale në shoqëri, të “vaksinuarit” nga të pa vaksinuarit, të punësuarit që jetojnë me qira përkundrejt punëtorëve të tjerë, politikës së energjisë së gjelbër nga ajo e lëndëve djegëse fosile, kriteret e qëndrueshmërisë sociale dhe të qeverisjes mjedisore përkundër nevojës për t’u furnizuar me energji të besueshme, vetëm për të përmendur disa aspekte.

Pra, pyetja nëse kjo situatë mund të shkaktojë një tronditje sociologjike në vitin 2022 apo në një të ardhme të afërt, duke shkaktuar një “revolucion”, ndoshta jo në termat tradicionalë, nuk është më nëse do të ndodhë, por kur dhe si. Kjo duke pasur parasysh se historikisht pas një “ kolapsi social” nuk ka pasur kurrë fitues apo humbës, por janë hedhur themelet për një ripërtëritje apo “ ringjallje ”, bazuar në ekuilibra të rinj. / “Opinione.it” – Bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull