Një habi e tepërt ka vërshuar në FB për kengen fituese të Festivalit të muzikës së lehtë, term që përdoret vetëm në Shqipëri, me gjasë si ndikim nga “industrializmi socialist” i Enver Hoxhës, industri e rëndë / industri e lehtë dhe ushqimore….muzikë e rëndë / muzikë e lehtë…
Nga Gëzim BASHA –
Nuk kam parë kënd të habitet nga tekstet mësimore në shkollat shqiptare, një industri e marë peng dhe e bërë vrima-vrima nga interesat mafioze për fitim të garantuar përmes ekskluzivitetit. Shfletimi i disa librave shkollorë gjatë verës me ka bërë të skuqem nga turpi, pastaj të zverdhem nga pezmi….Jemi të pafuqishëm përpara atakut total të vulgaritetit! Jemi pre e një kulture popullore që ka në themel dembelizmin intelektual!
Prej kohësh nuk mar pjesë në kremtimet e Festave tona Kombëtare në SHBA sepse kolona e tyre zanore, prej fillimit në fund, është një këngë çingish, që në vitet 80-të dëgjoja në tren nga ciganë shëtitës të cilët mernin si honorar ndonjë vezë të zier, a ngastër byreku,
O Mari, Maria,
Faqet gurabia…
O Meri-Mariana,
Faqet me nishana…!
Jo Himni i Flamurit, por avazet e kësaj kënge e fusin gjindjen në ekstazë, i bën thuajse të gjithë kërcimtarët, të gatshëm të bien “shahidë,” për korrigjimin e padrejtësive historike…me shishen e birrës në dorë dhe mandilën e valles në erë!
Prapë te habia e tepërt! Nuk duhet të habitemi shumë pasi institucionet kulturore të vendit janë uzurpuar nga njerëz në nevojë për një vend pune, jo nga individë me kultivimin e duhur dhe talentin e nevojshëm për të pasur vokacion estetik.
I kanë marrë të gjitha dhe prapë klithin; “Ta Marsha!”