Nga Prof.ass. Mimoza AHMETI-
Një kulturë mbahet nëper njerëz. Mënyra subjektive e zbulimit të saj, me sa duket është e vetmja që mund të bëjë figurën. Përgjithësimet rreth kulturave janë të pjesshme. Sepse përgjithësimet zakonisht burojnë nga nevoja josubjektive. Subjektiviteti dhe nevoja josubjektive, që ndryshe quhet domosdoshmëri objektive, janë kaq të largëta në një qasje objekti të njëjtë per reflektim, sa dhe kontrastet më tē forta në natyrë, njē nga të cilat është ditē-nata. Nuk e mbaj mend sesi, por u gjenda në Aleksandropolus të Greqisë në verēn e vitit 1998, madje edhe për vitin nuk jam plotësisht e sigurt, le të themi rreth vitit 1998. Siguria e sensacionit tim do të shfaqet pikërisht tani: në një tryezē bari jashtë, mes të tjerash, buzë nje bregu të lartë, nën nivelin e një hoteli ku qemë grumbulluar, po pinim kafe dhe diskutonim me përkthyesit për pjesët që do të interpretonim ne greqisht, mbi nivelin e detit që vozonte poshtē nesh për të nanuruar veshët tanë nën rrezet e mbasdites; shkrimtarë të ndryshëm, poetë, prozatorë, të ardhur nga gjithë rajoni i Ballkanit, në kēmbë ose të ulur, të preokupuar, komunikonin në gjuhë të ndryshme. Mbizoteronin shëmtueshëm burrat. Të eksituar dukeshin përkthyesit. Ishte koha kur përkthyesit nuk ishin bërë ende shkrimtarë dhe nuk kishte filluar ende ajo farsa e nderimit të tyre me çmime për shkrimet, çmime që në fakt u takonin poetëve dhe shkrimtarëve, një lloj censure moderne kjo që do te fillonte pas viteve 2000, kaq qesharake dhe banale, saqë të vinte keq për mjerimin sistemik, pra, institucional. Por jemi ende në ato ditë kur arti shkëlqente shpirtin, dhe bota ishte një oaz i zgjeruar shprese, dëfrimi dhe fertilimi idesh me tërheqje besimi.
Dhe e dallova menjëherë, aq shpejt, si një përfshirje, dhe po aq e përqëndruar e shikova atë çudi – grua, që do të quhej Zyranna Zateli. Ishte tepër e holle, si një zambak i qëndisur, por kishte dy anë të plota që e bënin të gjallë: lëkurën dhe zërin. Buzet e saj të mprehta dhe vishnjë ngjanin me thekët ku krenar ngrihej pistili i hundës. Epo gjithmonë do të ketë midis rutinave jetësore, një tronditje që e bie shqisën në vete. Kjo grua dukshëm qe lindur për të tronditur! Paketa e cigareve të saj ishte aq e përvetshme, e një ngjyre gruri me nje portret dame klasi në qendër. Nuk e kam ndërruar asnjëherë markën e cigares, më tha, thua se ky detaj ishte pjesë e rëndësishme e karakterit. Fustani i saj me lule, rruazat, vathët, te gjitha një vishnje pasioni, me një balukez të vogël të pikturuar në po atē ngjyrē mbi ballë, hijeshonin. Ja, pra, Greqia e kishte një grua si kjo. Jo se vendi im nuk kishte gra të çuditshme dhe të jashtëzakonshme, por jeta e tyre qe gjithmonë e shkolitur prej regjimeve, ndoshta burrat tanë nuk donin kurrsesi të mposhteshin qoftë edhe një herë prej bukurisë. Dhe jo sepse ata ishin të dobët. Historia qe mpleksur në seksualitetin e tyre utilisht me identitetin, dhe ata kurrë në shekuj nuk e kishin prekur dot jetën e plotë nga mbijetesa. Dhe kjo i bënte të pandjeshëm. Por kishte një kulturë tjetër që jetonte. E jona mbijetonte që të jetonin të tjerat. Prandaj gratë si dhe burrat tanë mbeteshin të mpirë. Por tani, le të kthehemi te timbri i butë kadife i Zyrannës, te lëkura e saj plot rrëshirë të mistershme të aromave dhe parfumeve të Greqisë, që nuk mund të shpjegohen sepse bërësia e esencës së tyre të deh para se tê mendosh, në një hiperbolim përjetimi që i ngjan valëve të diellit, të cilave unë po u afrohesha ato çaste me dëshirën e madhe të ekspozimit ndaj tyre, ashtu si një europian i vjetër në Kopshtin e Luksemburgut, zgjat fytyrën, në drejtim të rrezeve, në një ditë dimri me mot të çelur.
Ishte Telemak Koça që i solli ne shqip tregimet e kësaj prozatoreje. Aty pashë një Greqi që frymonte me trup dhe me kraheror. Kjo kulturë shqisash është e rrallë edhe në botë. Kulturë ku e drejta e përjetimit nuk ka humbur ende. Do të bëhet shkak pikërisht kultura Greke, që të bëj një dallim që më parë nuk e kam bërë për kulturat. Le tē hyjmë fillimisht te kulturat cerebrale. Ato janë të ftohta, ndjejnë me tru dhe abstraksionet aty kanë zënë vendin e jetës, domethënê perceptimit. Sigurisht, ndjenja e trurit është shumë e fortë. Por atë e gjejmë edhe te një i vdekur që ka lënë të shkruar një tekst të mirë. Kultura e shqisës, ajo e kraharorit, është një kulturë mes besimit dhe përqafimit, têrësisht përjetim. Ajo mendon me trup, me energjinë e tij, dhe asgjë nuk i ze dot vendin kraharorit ku zhvillohet beteja mes organizmit dhe identifikimit. Kështu janë këngët greke. Këndojnë me kraharor. Pasioni është mishi i tyre. Nje masë unike! Ka dhe kultura mesi, domethëne ku seksualiteti direkt është personaliteti i tyre. Kultura gjahtare, instinktive, si kafsha. Por ato, pse i udheheq shtaza, nuk mund të analizojnë shpirtin e tyre në elementet e tij, gjë që i bēn tmerresisht të bukura me sjelljen direkte. Isha në një gjendje aspak të këndëshme kur filloi Pandemia. Trupi po thahej nga izolimi dhe shpresa poashtu nga politizimet. Kuptova papritur se edhe mund të venitesha nëse nuk do të bëja diçka për veten. Ngadonjëherë udhën ta hap një çelës i panjohur imperativ. Desha papritur të dëgjoj vetëm këngë greke! Pikërisht unë që nuk dija thuajse asnjë fjalë greqisht, unë që dashuroj këngët franceze, por nuk po më ngjallnin dot, iu ktheva muzikës greke. Tingujt mbushēn studjon time. Ndjeja në venat e mia sērish jetë, puls. Kisha kaluar kohëra të rënda në vendin tim, dhe nuk kisha shkuar dot të jetoja në një vend fqinj kaq afër, Greqia, ku buzuqet dhe nostalgjtë dhe karafilat dhe vallet vazhdonin të jehonin kumbimin, ndoshta të fundëm të pafundësisë, buzë një globalizmi militar që po përpinte gjithçka, pa ditur ç’të bënte me mrekullitë e thesareve të veta kulturore. Kam disa letra që Zirana më dërgoi nga Athina dhe Parisi, disa kartolina me një kaligrafi të mrekullueshme nga dora e saj. Asnjëherë nuk i shkrova, nuk i ktheva dot një përgjiigje.
Në gjendjen time plot punë e mbijetesë nuk gjeta dinjitet të mjaftueshëm, aq më pak komfort, që t’i shkruaja diçka siç ajo do ta meritonte. Por e desha shumë, tmerrësisht shumë, e vizatova…Ngadonjëherë e merja në telefon vetem të ndjeja aromën e rrëshirēs së zërit te saj përrallor, pa dêgjuar ç’më thoshte. Herën e fundit kur më pa në Athinë nuk u entuziazmua me mua. Ndoshta mbijetimi kishte lënë në feminitetin tim disa trica që ajo nuk i pëlqeu. Po e kaloi me një indiferencë të lehtë, ashtu nëpër cigaren e saj, tymin e dashur. Doni të dini si është një kulturë? Atë mund ta dalloni në formên grua që ajo ka mbruar. Mos i masni kulturat me burrat.
Aty nuk do të gjeni vetëm se gjurmë që nuk krijojnë udhë. Burrat kanē nje aftësi të çuditshme tē kopjohen. Ata janë ngushtē tē lidhur me objektiven që buron nga ontologjia e nevojës brutale. Ata edhe në shtrat nuk e harrojnē atē. Njēlloj si tē ngrēnit. Nëse doni të gjeni udhën, nëse doni të njihni një kulturë, njihni prej saj një grua, dhe do të jeni më të ditur mbi natyrën e botës, edhe se antropologu më i famshëm i gjuhes së shpirtit të ndonjë kulture. Ndoshta Klod Levi Shtraus ndihet i thatë ne zbulimet e tij përgjatë leximeve, mbi kulturat, pasi nuk pati rast të njohë ndonjëherë ndonjë grua si Zyranna,, ashtu si Gogen njohu, dhe zbuloi një botë.