Përshtypje udhëtimi… – Në Stamboll, për tri netë e katër ditë

5 Minuta Lexim

Përshtypje udhëtimi…

 

Në Stamboll, për tri netë e katër ditë

 

Është me fat për shumëkënd, që viziton Stambollin. Një qytet me afro 16 milion banorë, të befason me relievin dhe bukuritë e tij detare toksore. I shtrirë mbi kodra të buta, rreth e rreth detit, Stambolli mbetet joshës e mbresëlënës për cilindo. Ndër ato miliona vizitorë, që “prekin” Stambollin në ditë, isha dhe unë. Udhëtim i këndshëm më “Air-Albania”. Një avion komod, që të con në aeroportin kryesor të Stambollit për një orë. Gjatë udhëtimit, në vajtje e ardhje, të ofrohet ushqim i këndshëm e gjithcka tjetër. Me orën lokale, rreth orës 12 gjendemi në aeroport. Në dalje, autobuzi na pret e që do të na shoqërojë gjatë gjithë ditëve të planifikuara atje. Besmiri, shoqëruesi ynë na pret me përzemërsi. Për mbi dy orë në një qendër tregtare. Shumëllojshmëri produktesh e konfeksionesh, me cmime shumë herë më të lira, se në vendin tonë. Po ashtu dhe drekimet apo darkat. Për një person, jo më tepër se 3 euro! Befasuese vizita në Akuarium. I hapur në prill të vitit 2011, është një ndër më të mëdhenjtë e Botës për nga vëllimi e shumëllojshmëria e specieve të ujit.

 

Guida e ngjeshur dhe e planifikuar në qendrat më kryesorë të këtij qyteti në kufijtë e kontintetit europian e aziatik. Në Kapali Carshi (pazari I vjetër), mbetesh si i hutuar. Këtu numërohen 61 rrugë të mbuluara dhe mbi 4 mijë dyqane të shtrira në 30 mijë e 700 metra katrore. Në ditë vizitohet nga rreth 400 mijë persona. Në jo pak dyqane, ndeshesh më shqiptarë të hershëm, të ngulitur këtu e që ruajnë mjaft mirë gjuhën shqipe. Më pas për në Eminoy, stacioni i anijeve dhe jahteve në Bosfor. Udhëtim i këndshëm me anije nëpër ngushticën e Bosforit gjer afër daljes për në detin e Zi. Vazhdojnë vizitat.

 

Në sheshin “Taksim”. Ky i fundit i vendosur në pjesën europiane të Stambollit modern. Ndërsa mbrëmja na ofron një surprizë të këndëshme. Grupi ynë prej 20 vetësh, është ftuar për një shëtitje tjetër në Bosfor gjatë natës “Turkish-show”. Në anije mbi 400 persona. Mes tyre shumë shqiptarë. Një darkë me meny të përgjedhur e pije pa limit. Është nata e improvizimit të një “dasme turke”. Muzika e pëlqyeshme. Pas mbarimit të ritualit të dasmës së nuses e dhëndërrit, një surprizë. Emetohen këngë e muzikë shqiptare të kënduara në turqisht. Më pas, për rreth një orë, vetëm muzikë shqiptare me këngëtarët më të njohur. Kushtu ndodhte dhe gjetkë. Sapo mësonin së je “arrnaut”, në lokal, bare e kafene, emetohej muzika shqiptare. Tek e fundit, ishte një nder e respekt për ne e kulturën tonë.

 

Në vazhdim, vizitojmë Top Kapi, Sarajet dimërore të Sullatin. Më pas në xhaminë Blu, Shën-Sofi e në hipodromin e Kostadinopojës. Në ditën e katërt, udhëtim në kodrën “Camlica”. Kjo e fundit, në pjesën aziatike , në lartësinë 268 metra mbi nivelin e detit, karshi Bosforit. Mbresëlënëse vizita në “Dollma-Bace”, apo sarajet verore të Sulltanit. Është pallati i kopshteve të mbushura me lule e gjelbërim. Ndërtuar rreth viteve 1843-1856. Është I veshur me rreth 35 ton me ar, apo që kanë kushtuar rreth 1.5 miliard dollarë. Ky pallat u ndërtua nga Sulltani i 31-të i Perandorisë Osmane, për të kaluar luksin dhe komfortin e asaj kohe, që kishin mbretëritë në Europë.

 

Nuk besoj se konsiderohet lëvdatë personale për Besmirin, shoqëruesin tonë. Ai ka mbi 18 vjet këtu dhe i martuar me turke. I diplomuar në univesitetin e Marmarasë për shkencat social-politike.  Një djalë simpatik dhe i thjeshtë nga Shkodra. Më një kulturë të gjërë dhe njohuri të thella për historinë tonë e atë turke. Ka punuar dhe në minibashki të Stambollit. Ndjehet sa patriot shqiptar, aq dhe shtetas turk, megjithëse ende nuk e ka marrë nënshtetësinë. Besmiri, nuk lodhej së shpjeguri për të gjitha grupet vizitore shqiptare. Dhe kjo bëhej kundrejt një pagese thuajse të papërfillshme.

Do të thoja se mbresat e këtij udhëtimi, sikur më ftojnë të gjendem sërish në Stamboll…

Ndërsa kthehemi në Tiranë, mesnata na pret me një shi të imët…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull