Nga Fadil SAHITI-
Kur iu bashkova stafit mësimdhënës në London School of Economics and Political Science (LSE) në Londër në vitin 2013, fakti që një nga filozofët e mi të preferuar, Sir Karl Popper, ishte dikur pjesë e këtij institucioni, më bëri të ndihem i privilegjuar. Që atëherë, e kam bluar shpesh në mendje çështjen e rrënjëve etike ose burimeve morale të filozofisë së tij. Më vonë, ndërsa ia lexova disa prej librave që ka shkruar, kuptova se mendimet dhe idetë qe ka prodhuar i ka të rrënjosura thellë në etikë. Edhe konceptet shkencore si metoda e falsifikimit dhe racionaliteti kritik, apo hipoteza e njohur “trial and error”, janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht me parimet etike apo morale.
Përmbajtje morale kanë sidomos idetë dhe konceptet e tij politike. Një ndër to ka të bëjë me dhunën dhe sakrificën njerëzore (vdekjen) si mjet për realizimin e ideve politike. Duhet sqaruar, këtu nuk bëhet fjalë për ide ekzistenciale si liria, por thjesht për ide politike që lidhen me formacionet politike. Kjo temë lidhet fort me ngjarjet politike sot në Shqipëri dhe Kosovë.
Në librin autobiografik në seksionin 8 me titull “Një vit vendimtar: Marksizmi; Shkenca dhe Pseudoshkenca” Popper flet për ngjarjen që e bëri të ndahej përfundimisht nga ideja morbide politike (marksiste), sipas së cilës, për idetë politike, për një revolucion politik, dhuna është domosdoshmëri, andaj vrasjet janë çështje numrash. Incidenti që bëri kthesen e madhe ndodhi në Vjenë kur disa punëtorë të rinj u vranë në një demonstratë. Ishin politikanët – atëherë marksist – ata që promovuan dhe kultivuan, siç shprehet ai, “një lloj instinkti vrastar kundër armiqve politikë – armiqve të klasës”. Të njëjtët propagandonin se: “dhuna, vrasjet janë të nevojshme dhe se… në një revolucion vetëm fitorja ka vlerë…
Sipas këtij soji të politikanëve, viktimat në njerëz janë të pashmangshme, por edhe të dobishme nëse duam të realizojmë idetë politike… madje, sa më shumë viktima të ketë, aq më shumë do të avancojë realizimi i ideve politike… kjo do të rrisë zemërimin e fanatikëve politikë dhe do t’i “ndërgjegjësojë” ata se cilët janë armiqtë tanë. E pështirë, apo jo, të promovohet vrasja si mjet për realizimin e ideve politike.
Në një paragraf të librit të tij autobiografik (fq. 26) Popper thotë, po e parifrazoj.
“… më në fund kuptova karakterin dogmatik, arrogancën e pabesueshme intelektuale të këtyre njerëzve (politikanëve të dhunshëm). Është e tmerrshme të besosh se është e detyrueshme të sakrifikosh jetën e njeriut për të realizuar një doktrinë politike e pranuar në mënyrë jokritike, ose për një ëndërr që mund të rezultojë e parealizueshme. Kjo është veçanërisht e keqe për një intelektual, për një njeri që di të lexojë dhe të mendojë. Është tmerrësisht dëshpëruese të zhytesh në një kurth të tillë”.
Nuk kam nevojë të bëj paralele mes logjikës së politikanëve të kohës së Popper-it, me politikanët shqiptarë të kohës sonë. Skena politike shqiptare ka shumë politikanë që promovojnë dhunën, që e konsiderojnë vdekjen e njeriut si domosdoshmëri për realizimin e ideve, doktrinës dhe ëndrrave morbide politike.
Kjo duhet të ndalet. Sa më shpejt aq më mirë dhe më shumë jetë do të shpëtohen.