Nga Aurel PLASARI-
Kam përshtypjen – të më falin mediet e tjera nëse gaboj – që Kumtari.al i ka dhënë në mënyrë korrekte do mendime të miat të shprehura në një bisedë televizive me Blendi Fevziun, këtu e gjashtë muaj të shkuar, për situatën në Partinë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të vitit të kaluar.
E shumta e portaleve patën interesin të dëfreheshin vetëm me alegorinë e “mbylljes së dyqanit”; ua kam respektuar sevdanë e tyre letrare.
Sikundër edhe Kumtari.al e regjistroi, ideja ime ishte që në pushtet nuk vihet me idenë që ‘po lodhen me një forcë politike dhe të vijë një tjetër’, por duhen programe dhe platforma që ta konkurrojnë forcën tjetër politike. Demokracia nuk funksionon kështu që, meqë lodhen me njërin, vjen tjetri. Në demokraci konkurrojnë programet, platformat, ofertat.
Pikërisht prandaj edhe u shpreha që, nëse PD nuk riorganizohet, nuk do të arrijë dot të jetë një forcë qeverisëse:
“Mendoj se ka nevoja të ngutshme të një riorganizimi, të një platformë të re, të një programi të ri. Dhe nuk është çështje e një individi, ose e 4 individëve, por është çështje e programit të ri të një force që konkurron për të qeverisur, përndryshe ajo të mbyllë dyqanin”.
“Ka në histori parti që e kanë kryer misionin. PD është krijuar me një mision të qartë kur u krijua: të kontribuonte për pluralizmin, të kryente konvertimin e ekonomisë, të punonte për të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe të punonte për integrimin në BE. Nuk është mision i ri tanimë. Këto parime i përkrahu edhe PS, e riorganizuar, madje për BE-në edhe duke bërë garë se kush e dashuron më shumë. Koha është për formulimin e një misioni të ri, dhe nuk jam unë i pari që e them këtë, e kanë thënë edhe njerëz të asaj partie… Janë koncepte që edhe brenda PD kanë dalë: që duhet një riformatim, madje ndoshta një rithemelim. Unë jam me këto koncepte: që nevoja është e një riorganizimi strukturor, madje më shumë programor. Kur them mbyllje dyqani, nuk do të thotë që do të mbyllet partia, por nuk do arrijë të jetë parti qeverisëse. Një parti e cila do që të jetë qeverisëse duhet të forcojë ofertën e vet dhe oferta e vet duhet të jetë më e fuqishme se oferta e tjetrit”, thashë atëherë.
Etj. Këto ishin, në thelb, sugjerime të miat, duke saktësuar që flisja me kujdes, duke mos qenë anëtar i asaj partie, si dhe as i ndonjë partie tjetër, por votues i PD-së së paku deri asaj dite.
Pati edhe ndonjë ish-kandidat për kryetar të PD-së, të cilit iu dukën pa vend fjalët e mia; e drejta e tij. Për të PD-ja nuk paraqiste ndonjë gjendje krize, siç lija të kuptoja unë në bisedën në fjalë, misionin e kishte, programin e kishte etj., për të çështja ishte vetëm kush do të qe kryetar.
Kronologjia e do që të saktësoj tani se, ndonëse biseda u transmetua më 13 korrik 2021, ajo ishte regjistruar kohë më parë, para zgjedhjeve të Qershorit në PD, dhe është transmetuar më vonë për shkaqet – e kuptueshme – të kalendarit të emisionit “Opinion”.
Isha pra optimist për ç’u takonte mundësive të riorganizimit, të një programi të rinovuar, të përtëritjes së misionit, deri edhe të një rithemelimi, përfshirë edhe drejtimin e saj të ri. Por, ndërsa parashikoja edhe rrezikun e “mbylljes së dyqanit”, sot konstatoj që partia në fjalë uli edhe qepenat.
Nuk dëgjuan nga ai vesh. As deshën të dëgjonin. Prandaj, miq, kursenajini thirrjet – patetike – që u dashka të flasim, u dashka të mos heshtim, u dashka të kontribuojmë e më the të thashë. Parimin “Më mbetet fjala” e kam mësuar qysh çunak, kur e bëja të fliste shqip poetin bask Blas de Otero (1916-1979):
Nëse humba jetën time, kohën, gjithë
çka flaka në det si një unazë,
nëse humba zërin drizë më drizë,
më mbetet fjala.
Nëse vuajta nga etja, nga uria, nga gjithë
çka kisha të miat e asgjë s’i pata,
nëse hijet në heshtje i kosita,
më mbetet fjala.
Nëse hapa sytë për të parë fytyrën
e atdheut tim, të tmerrshme e të pastër,
nëse hapa buzët sa desh m’u çapëlyen,
më mbetet fjala.
fb © shqip a.p