“ALBPETROL”, GROPA E ZEZË E KORRUPSIONIT ZYRTAR

4 Minuta Lexim

“Albpetrol” është një kompani që administron pasuri publike nuk derdh asnjë lek për publikun, ndonëse shet çdo vit gati 200 mijë tonë naftë. Janë 10 milionë dollarë që vidhen çdo vit përmes një mekanizmi që po e shpjegojmë më poshtë…

Nga Klodian TOMORI –

Pak javë më parë kur u publikua lista e pagave, qytetarët panë se në skutat e këtij shteti ka njerëz që paguhen edhe më shumë se 5 mijë dollarë në muaj. Një nga këto skuta, faktikisht ndër më të errëtat, është Albpetrol. Sipas listëpagesës, 10 drejtuesit kryesorë të Albpetrol u kushtojnë qytetarëve shqiptarë 50 mijë dollarë në muaj. Dy ndër ta janë ish kryebashkiakë të partisë në pushtet, përkatësisht Selfo Kapllani dhe Baftjar Zeqo.

Pagat e larta në sektorin shtetëror nuk janë domosdoshmërisht abuzive. Në politikat e remunerimit, praktika e shpërblimeve në bazë të rezultateve nuk është e panjohur. Problemi më Albpetrolin është se për herë të fundit kjo kompani ka derdhur fitim në buxhetin e shteti shumë vite me parë. Por kjo është vetëm njëra anë se si na vjedh Albpetrol. E dyta është edhe më flagrante.

Një javë para ndërrimit të viteve Albpetrol shpalli një ankand për të shitur për të shitur 40 mijë tonë naftë, të cilën e merr nga koncesionarët, kryesisht Bankers Petroleum në formën e prodhimit paraekzistues. Çmimi dysheme për shitjen e naftës është përcaktuar sipas formulës 73.88% e Çmimit Brent + K, ku K është koefiçienti mbi të cilin garojnë ofertuesit. Zakonisht kjo K del gjithmonë 0.01 dollarë. Kjo formulë është dhe mekanizmi i vjedhjes.

Ankandi i Albpetrol dështoi në tentativën e parë. Kjo është taktikë, që blerësi monopson e përsërit thuajse në çdo ankand për të ulur edhe më shumë çmimin. Por të kthehemi tek thelbi. Një javë më parë Bankers Petroleum, të njëjtën naftë e shiti me 85 për qind të çmimit Brent. Pra 11.1 pikë mbi çmimin me të cilin e shet Albpetrol. E konvertuar në vlerë fuçie, sot Albpetrol e shet naftën që merr nga Bankersi 9 dollarë më pak për fuçi se sa e shet Bankersi.

Tani pak matematikë të thjeshtë për të kuptuar se sa vidhet vetëm me një ankand. Sasia prej 40 mijë tonë është e barabartë me 270 mijë fuci. Meqë Albpetrol e shet fuçinë 9 dollarë më pak se Bankers, vetëm me këtë dorë qytetarëve u merren 2.4 milionë dollarë.

Por ky është vetëm ankandi i radhës. Albpetrol shet çdo vit gati 200 mijë tonë naftë. E thënë ndryshe janë 10 milionë dollarë që vidhen çdo vit përmes këtij mekanizmi. Këto janë rezultatet e larta, për të cilat drejtuesit e Albpetrol shpërblejnë veten me rroga 5 mijë dollarëshe.

Një qeveri toleron kompani publike me humbje, vetëm kur ato ofrojnë shërbime jetike për qytetarët si ujësjellësi, energjia apo dhe spitalet. Por Albpetrol nuk ofron asnjë shërbim për qytetarët, përveçse grabitjes.

Kjo e bën atë një gropë të zezë korrupsioni, e cila sot kryen vetëm tre role. Punëson militantët e partisë, qeras krimin e organizuar me tendera dhe vjedh pasurinë publike.

Ky është rasti i vetëm në botë, kur një kompani që administron pasuri publike nuk derdh asnjë lek për publikun. Ndaj kjo është një kompani që duhet shkrirë një orë e më parë. Prodhimi paraekzistues mund të merren në cash nga koncesionarët, pa patur nevojë të ketë një Albpetrol që bën tendera. Pastaj paratë duhet të kalojnë në buxhetin e shtetit dhe jo në tendera për krimin apo paga për militantët.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull