EMA doli kundër, por Greqia dhe Danimarka bëjnë gati dozën e katërt të vaksinës së Covid

1 Minuta Lexim

Edhe pse autoriteti rregullator evropian nuk i dha dritën jeshile administrimit të dozës së katërt të vaksinës kundër koronavirusit, Greqia dhe Danimarka janë vendet e para në kontinentin e vjetër që kanë marrë këtë vendim.

Komiteti Kombëtar i Vaksinimit në fqinjin tonë jugor i hapi rrugën injektimit të dozës së katërt për personat me gjendje të brishtë shëndetësore. Ekspertët ranë dakort që ky grup të jetë në gjendje të marrë injeksionin e katërt 3 deri në 6 muaj pas dozës së tretë. Vendimi prek pacientët me sëmundje hematologjike dhe onkologjike që janë nën trajtim, personat që marrin medikamente imunosupresive, marrësit e transplantit dhe pacientët me sëmundje reumatizmale ose insuficiencë renale.

Ndërkaq edhe në Danimarkë, qytetarët që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë nëse preken nga virusi, do të munden të marrin injeksionin e katërt kundër covid 19.

Ministri i Shëndetësisë Magnus Heunicke, bëri të ditur se fushata do të nisë këtë fundjavë. Vendimi vjen disa ditë përpara një rihapjeje të planifikuar për kinematë, aktivitetet muzikore, stadiumet dhe vendet e tjera publike.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull