Nga Sadik BEJKO-
Ky më poshtë është një reagim i shpejtë. Mbase një herë tjetër do kem kohë të ftilloj më mirë atë që dua të them.
Po marr shkas nga një pyetje që bëhet në fb për baladën e Rexhës, e Rexhës që e vret kali ditën që martohet.
Është një dhimbje mizore, e verbër, e pashkak…që e bën tragjike, absurde situatën e vdekjes nga një shkelm kali sa të lë pafrymë.
Njerëzve sot në kohërat e kompiuterit, kur janë larguar nga vitet kur njeriu jetonte shumë afër te mali e te kali, sa ngjarja u duket krejt banale dhe kërkojnë shkakun përtej një jete fshatarësh, barinjsh, malësorësh… Arsyen e duan nga pozitat e të sotmes …
Dhe me pak mend, (me dy gramë mend), e gjejnë. Rexhën e gjorë, jetim, na e paska vrarë axha, t’i marrë pasurinë, shtëpinë.
.. Dhe kjo vrasja prej kalit na mbuloka një krim të shëmtuar brenda familjes. Balada qenka në këtë rast një falsitet, qenka një tekst që e vulos me mister, atë që paska qenë vrasje e pastër, e shëmtuar.
Shpjegimi më duket shumë logjik. Por unë para tekstit, baladave dua vetë të jem fëminor. Unë jam pak reaksionar, mitik dhe fanatik. Jo çmitizues. Jam mjegullor, jo racional. Nuk jam mosbesues ndaj tekstit të baladave. Nuk dua racionalitet në një tekst, në një melodi që rreh të më shkundë emocionalisht me një mesazh të absurdit kozmik, pa ndonjë mesazh social, tokësor. Se balada nuk është tekst i prozës narative me logjikën shkak-pasojë, as prozë reflektive me koncepsion të mendimit… Është tjetër… Është poezi, baladë, mjegull, përrallë. Në kësilloj teksti nuk hyhet me logjikë. Ndaj unë e besoj që Rexhën e vrau kali. Besoj që çami Minush aga i dehur nga rakia e xhelozia, nga absurdi, vrau gruan e tij të bukur, e besoj që e muruan Rozafën…që ia lanë dhe sisën jashtë në gur.
E besoj që një stihi, një gjarpër helmoi djemtë e shtëpisë së Dhoqinës. Besoj që Doruntina u kthye me kalin, me vëllanë e vdekur..
Se unë e lexoj baladën (si fëmijë) që të mrekullohem, jo të mendohem. Në përrallë thuhet: Ec e ec kaptuan shtatë male…dhe e gjetën të bukurën e dheut. Në këtë rrëfim është bërë një marrëveshje që këtu mrekullitë, të pangjarat ndodhin. Jemi në përrallë, jemi në baladë. Këtu ndodhin të pandodhurat kurrë. Ndaj hap veshët e mos pyet. Ndieje, pushtohu nga dhimbja, nga tmerri. Nuk ka arësye. Tmerri e keqja, e mrekullishmja ndodh. Ndodh. Edhe sot cunami, tërmeti, vullkani, përmbytja pandemia … Tmerri të merr jetën, pronën, gruan, shtëpinë, djalin e vetëm. Ta merr. Ti besoji narrativës së zhanrit.
Po kërkove gjëra logjike, mos lexo balada dhe përralla dhe legjenda. Këto tekste janë si puna me Zotin. Nuk kërkohet logjikë në punë të besimit … Marrëdhënieja fillon kur ti përtej arsyes…beson, beson, vetëm beson.
Nëse beson, hyr në kishë, në xhami, në sinagogë.
Ndaj beso në baladë, shojoje magjinë… mos pyet më tej… mos e prish magjinë, pa hyrë në botën e saj.