Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një “përgjigje të shpejtë dhe të ashpër”, nëse Rusia vendos të pushtojë Ukrainën.
Ai i bëri këto komente në fillim të takimit me shefin e diplomacisë rusë, Sergey Lavrov në Gjenevë. Të dy kryediplomatët thanë se takimi i sotëm është vetëm një hap drejt zgjidhjes së situatës rreth Ukrainës.
Me 100,000 trupa ruse të grumbulluara pranë kufirit me Ukrainën, shumëkush ka frikë se Moska po përgatitet për një pushtim dhe SHBA-ja me aleatët e saj po përpiqen për një front të bashkuar me shpresë që ta parandalojnë atë ose të bashkërendojnë një përgjigje, nëse nuk arrijnë një gjë të tillë.
“Nuk presim të zgjidhim mosmarrëveshjet tona këtu, sot. Por, unë shpresoj dhe pres që mund të provojmë nëse rruga e diplomacisë apo e dialogut mbetet e hapur”, i tha sekretari Blinken ministrit të Jashtëm rus Lavrov. “Ky është një moment kritik”, tha ai.
Ndërkaq, ministri Lavrov tha se nuk “pret një përparim as në këto negociata. Ajo që ne presim janë përgjigjet konkrete për propozimet tona konkrete”. Moska ka kërkuar lëshime nga NATO-ja lidhur me marrëdhëniet e aleancës perëndimore me Ukrainën, një ish-republikë sovjetike.
Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për pasoja “të rënda”, të tilla si sanksione të rënda ekonomike, megjithëse jo veprime ushtarake kundër Rusisë, nëse ndodhë një pushtim.
Sekretari Blinken e përsëriti këtë paralajmërim të premten. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë të përkushtuar ndaj diplomacisë, por gjithashtu janë të përkushtuar, “nëse kjo bëhet e pamundur dhe Rusia vendos të sulmojë Ukrainën, për një përgjigje të bashkuar, të shpejtë dhe të ashpër”.
Por, ai tha se donte gjithashtu të shfrytëzonte mundësinë për të diskutuar drejtpërdrejt me ministrin Lavrov disa “ide konkrete për të trajtuar disa nga shqetësimet që keni ngritur, si dhe shqetësimet e thella që shumë prej nesh kanë për veprimet e Rusisë”./VOA