Mbretëria e Bashkuar ka filluar të tërheqë stafin nga ambasada britanike në Ukrainë mes paralajmërimeve për një pushtim rus.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, zyrtarët thanë se nuk ka pasur kërcënime specifike për diplomatët britanikë, por rreth gjysma e stafit që punon në Kiev do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.
Një hap i tillë vjen pasi SHBA urdhëroi të afërmit e stafit të ambasadës së saj të largoheshin nga Ukraina, duke thënë se një pushtim rus mund të vijë “në çdo kohë”.
Rusia ka mohuar të ketë ndonjë plan për veprim ushtarak në Ukrainë.
Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi gjithashtu njerëzit që të mos udhëtojnë në Ukrainë dhe Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm dhe “potencialit për ngacmim ndaj qytetarëve amerikanë”.
“Ka raportime se Rusia po planifikon një veprim të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës”, është thënë nga Departamenti i Shtetit.
Megjithatë, lëvizja është një masë paraprake dhe asgjë specifike mendohet të ketë ndodhur në 24 orët e fundit që të ketë shkaktuar vendimin.
Megjithatë, Bashkimi Evropian nuk do të bëjë të njëjtën gjë për momentin. Shefi i Politikës së Sigurisë së BE-së, Josep Borrell tha se ai nuk do të “dramatizojë” tensionet.
Ndërkohë kreu i aleancës së mbrojtjes ushtarake të NATO-s ka paralajmëruar se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Evropë pasi rreth 100,000 trupa ruse janë grumbulluar në kufi.