Nga SMS kërcënuese te tritoli në shtëpinë e Dukës/ Kush është Arlen Hasanaj, durrsaku i arrestuar nga policia

8 Minuta Lexim

Arlen Hasanaj, 34 vjeç është arrestuar nga Policia e Durrësit, si autori i dyshuar i vendosjes së lëndës së eksplozivit në derën e shtëpisë së fqinjit të tij, kreut të FSHF-së, Armand Duka.

Në momentin e parë kur sapo u dha lajmi se një sasi eksplozivi kishte shpërthyer në derën e shtëpisë së Dukës, menjëherë nisën aludimet se ky shpërthim kishte të bënte me përplasjen për zgjedhjet në FSHF.

Duka pranoi para gazetarëve natën e shpërthimit se kishte marrë SMS kërcënuese në numrin e tij personal, por që nuk i kishte denoncuar.

Pak orë pas shpërthimit, kamerat e sigurisë ndihmuan në identifikimin dhe më pas arrestimin e autorit të dyshuar.

Hasanaj është parë duke lëvizur nga rruga e portit me një makinë tip “ML” dhe më pas ka shkuar në Lagjen nr.4, atje ku banon edhe Duka. Dyshohet se i riu e ka marrë lëndën plasëse në një pallat aty pranë, në të njëjtën zonë ku ka edhe biznesin.

Kush është i arrestuari nga policia për shpërthimin dhe pistat e hetimit:

Por, cili është Arlen Hasanaj dhe çfarë e shtyu 34-vjeçarin që të ndërmerrte një akt të tillë? A ishin arsye personale, apo fshihet diçka tjetër pas kësaj?

Hasanaj banon në të njëjtën lagje me Armand Dukën, në atë numër 4 të qytetit bregdetar, ndërkohë që figuron si administrator i një biznesi privat, që merret me import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të artikujve industrialë, në veçanti të atyre elektronikë, kondicionimi, materiale elektrike speciale, kompjuterike, telefonike, radiotelevizive, elektrike.

Menjëherë pas arrestimit, Policia u fokusua në dy pista kryesore, atë të çështjeve personale mes Hasanajt dhe Dukës, por edhe në atë të ndonjë lidhjeje të mundshme me zgjedhjet për drejtimin e institucionit më të lartë sportive në vendin tonë, FSHF.

Pak çaste pas shërthimit, Duka tregoi një sms kërcënuese që i kishte ardhur në celularin e tij. Ende nuk është verifikuar nëse mesazhet ia dërgoi 34-vjeçari Hasanaj, por duke marrë parasysh përmbajtjen dhe vendosjen e tritolit në derë të shtëpisë, dyshohet që të jetë pikërisht ai që e ka bërë këtë gjë.

Kur komentoi shpërthimin në derë të shtëpisë, kreu i FSHF tha vetëm se “autori bredh me kalë” duke mos i shpjeguar dyshimet.

“Nuk e kam denoncuar. Por është pak me fjalë që… “Ti luan me dy standarde, ti ku*vë luan me lekët tona për 24 orë jep dorëheqjen ose 60 plumba i ke në kokë o ku*vë se betimi u bë i pakthyeshëm”. I ktheva një përgjigje, por nuk shkonte. Bëra një hetim vet ishte një numër që është përdorur vetëm njëherë dhe është karikuar në një dyqan këtu në Durrës. Ka një emër dhe ka 1000 mijë numra. E kisha harruar këtë se kam pasur ngjarje. Emri i tij ishte Sabian Rrapushi. Në polici nuk e kam denoncua se nuk kisha ndonjë shpresë se policia do bëj ndonjë gjë. Dhe tani këto 30 polica nuk do bëjnë ndonjë gjë, autori bredh me kalë”, tha kreu i FSHF, Armand Duka në lidhje me mesazhet kërcënuese që ai kishte marrë në numrin e tij personal.

Si ndodhi shpërthimi në derën e shtëpisë së Armand Dukës në Durrës:

Shpërthimi i fuqishëm me lëndë plasëse u regjistrua rreth orës 22:03 të mbrëmjes së të hënës, ndërsa gjatë ditës së djeshme në media dolën pamjet e kamerave të siguruara që filmuan të gjithë skenën. Një numër i madh personash u shoqëruan menjëherë pas ngjarjes, ndërsa në orët e mbrëmjes është arritur të identifikohet falë pamjeve të kamerave edhe personi i dyshuar që vendosi lëndën plasëse në portën e vilës trekatëshe të kreut të FSHF-së.

Nga kamerat duket se autori është afruar nga ana lindore, aty ku ndodhet edhe një tunel që lidh rrugën “Skënderbe” me bulevardin kryesor, ku ndodhet edhe banesa e z. Duka. Ndërkohë, janë edhe kamerat e sigurisë të vendosura nga vetë Duka, të cilat kanë pamje të qartë dhe duket fare lirshëm një person që afrohet dhe vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet andej nga erdhi.

Personi që shihej në kamerat e sigurisë ishte rreth të 30-ave, i veshur me pantallona të zeza, atlete të bardha dhe xhup të zi me kapuç, me të cilin edhe është maskuar. Ai afrohet qetësisht dhe, pasi vështron majtas dhe djathtas, nga xhupi nxjerr lëndën plasëse, e mban në dorë dhe, pasi afrohet afër portës, e ndez dhe e vendos te porta e garazhit të makinave të z. Duka.

Pa bërë pesë gjashtë hapa, lënda plasëse shpërthen dhe në këtë moment autori nis të vrapojë në mes të lagjes, e cila për shkak të temperaturave të ulëta dhe orës së vonë, ishte e boshatisur. Në momentin që ndodhi shpërthimi, na banesë ndodhej bashkëshortja e kreut të FSHF-së bashkë me djalin, por fatmirësisht ata nuk pësuan asnjë lëndim.

Reagimi zyrtar i Policisë për ngjarjen dhe arrestimin e autorit:

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila me anë të një njoftimi zyrtar për mediat, përveçse ka bërë public lajmin e arrestimit të Hasanajt për ngjarjen, nuk ka dhënë asnjë informacion tjetër në lidhje me motivet që mund ta kenë shtyrë atë në ndërmarrjen e këtij veprimi.

Njoftimi thotë që 34-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Policia vijon më tej se po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore, por pa dhënë asnjë shkak apo dyshim të mundshëm nga ana e tyre për shpërthimin.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi  në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull