Vaksinat kundër koronavirusit nuk shkaktojnë infertilitet dhe as nuk ndikojnë negativisht në fazat e hershme të shtatzënisë, pra nuk rrisin rrezikun e abortit. Ky është përfundimi i dy studimeve të reja shkencore amerikane që konfirmojnë se vaksinat kundër Covid-19 nuk ndikojnë në aftësinë për t’u riprodhuar.
Studiuesit në Shkollën Mjekësore dhe Spitalin Mount Sinai në Nju Jork, si dhe në Qendrën e Mjekësisë Riprodhuese RMA, të udhëhequr nga Dr. Deborah Aaron, botuar në revistën Obstetrics & Gynecology, krahasuan abortet në 222 gra që kishin përdorur IVF(fertilizimi in vitro) dhe kishin marrë dy doza të vaksinës Pfizer ose Moderna, duke i krahasuar me 983 gra që nuk ishin vaksinuar.
“Ky është një nga studimet më të mëdha të fertilitetit tek pacientët e vaksinuar. Studimi nuk gjeti ndonjë ndryshim domethënës midis grave të vaksinuara dhe të pavaksinuara për sa i përket vezoreve, cilësisë së vezëve dhe zhvillimit të fetusit.
“Këto gjetje duhet të qetësojnë ata që po përpiqen të kenë një fëmijë ose janë në fazat e hershme të shtatzënisë”, tha Dr Aaron.
Ndërkohë sipas një studimi të dytë, vaksina anti-Covid nuk preku as burrat dhe as gratë. Në të kundërt, nëse një burrë infektohet me koronavirus, mund të ketë rënie të përkohshme të fertilitetit të tij për shkak të uljes së cilësisë së spermës, raporton abcnews.al
Studimi, i cili u krye në 2,126 çifte që përpiqeshin të kishin një fëmijë, nuk gjeti asnjë korrelacion midis vaksinimit (me vaksinat Pfizer, Moderna ose Johnson & Johnson) dhe fertilitetit (mundësia e ngjizjes në çdo cikël menstrual). Fertiliteti i të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve ishte afërsisht i njëjtë.
Studimet e mëparshme kanë treguar se infeksioni Covid-19 rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të rënda tek gratë shtatzëna dhe vaksinat mbrojnë gratë shtatzëna, transmetojnë antitrupa tek foshnjat e tyre dhe nuk rrisin rrezikun e lindjes së parakohshme apo komplikimeve për shkak të koronavirusit.