Nga Besim DYBELI-
Në Veri të qytetit të Elbasanit, prej shekujsh rrjedh një lum i lashtë, me emrin Zaranikë. Lumi e ka zanafillën lart, nga mallet e Gurit të Zi dhe shkrepat e kuq të Cerujës. Rrjedh i rrëmbyeshëm nën këmbët e Brinjës, thikë të Braneshit. Zbret si më i qetë buzë fshatit Rrilë e Gurabardh. Pastaj kalon nëpër Katundin e Ri e Bradashesh, për t’u bashkuar me lumin Shkumbin. Zaranikës i është ngritur një pritë që nga koha e monizmit, ku fillon një hapësirë e gjërë, mes shkëmbinjve të Gracenit e Letanit nga njera anë dhe kodrave të Godoleshit. Mes malit të Gurit të Zi e të Cërujës nga ana tjetër, që shtrihet deri në Korrë e Mollagjesh në kufi me fshatrat e Tiranës, që njihet me emrin e bukur dhe të lashtë, Gryka e Zaranikës. Ajo ngërthen në vetvete 17 fshatra, shtrirë në 7 male. Emri i lumit Zaranikë, etimologjikisht është i shpjegueshëm nga fjala “zare”, guriçkat e bardha, ose gur zalli, që mbidhen me shumicë nga rrëpirat e malit të Gurit të Zi e shkëmbinjve sipër lagjeve, Arpe dhe Vërri të Cërujës. Ecim rrugës së vjetër, që kanë bërë të parët tanë shekuj me radhë. Është bukuri e rrallë të udhëtosh nëpër gurët si zarë të Zaranikës e të thithësh ajrin e pastër, që zbret nga Brinja e Braneshit e shijon aromën e ullinjëve e pemëve për rreth. Shohim buzë Zaranikës , aty ku ngrihet diga e saj. Një lagje të re me shtëpi të bukura e me banorë heterogjenë, të ardhur nga të katër anët e vendit. Jeta e puna e tyre pulson nën kërcënimin e vazhdueshëm të vërshimit të këtij lumi. Erdhën nga malet lart dhe këtu mbi gurët e Zallit ngritën ndërtesat e tyre, se gjetën truallin me çmim të lirë, pa pronar. Truall i thënçin, truall zalli. Shpesh herë mes dimrit, apo shirave të rënda të vjeshtës, vërshon Zaranika e përfshin ç’të gjejë përpara, mall e bagëti, prodhime e shtëpi. Nganjëherë edhe jetë njerëzish. Përroi i Zaranikës mbetet gjithmonë një rrezik për banorët e banesat e tyre.
X X X
Shkelim nëpër gurët e zallit, duke hedhur vështrimin herë nga fshati Gurabardh e herë nga faqja rrëpirë e Godoleshit. Në rrëzë të saj, ende mulliri i Ndreut. Ka mbi 100 vite që është ngritur dhe ka qenë gjithmonë në shërbim të këtyre malësorëve të varfër. Vinin dikur fshatarët nga Braneshi e Bixëllenja, Rrila e Bashabuni, me kafshët e ngarkuara me nga dy thasë të endur me lesh dhije, mbushur me misër e prisnin radhën me orë të tëra për të bluar. Ky mulli shërbeu edhe si strehë për partizanë të plagosur, apo për fshehjen e vrasëve që kishin marrë gjakun ndaj hasmi. Këtu gjenin një farë sigurie për disa ditë. Në kohën e monizmit u ndërtuan në qendër të kooperativave mullinj që punonin me korent. Por, këtij mulliri nuk i humbi vlera.
X X X
Më vështirë do ta kemi, kur të ngjitemi në brinjën e Braneshit. Është një e përpjetë thikë deri sa të dalësh në fushën e Funarit, rreth 6 km më lart. Nuk e kuptova që kisha arritur aty nga mesi i brinjës, mes drunjve dhe ferrave dhe ishte bërë natë. Diçka lëvizte nëpër gëmusha, por këmbët nuk më kthenin më prapa. Për Brinjën e Braneshit tregojnë shumë histori. Njëra thotë se një banor i Funarit u largua jashtë shtetit në Stamboll, në kohën e sundimit turk. Pasi kaluan dhjetra vite e të afërmit iu lutën të kthehej pranë familjes, ai fillimisht pyeti: -“A është më Brinja e Braneshit? Nëse ajo ekziston, unë nuk kthehem kurrë… Vetëm atë brinjë nuk dua ta ngjis më”…
X X X
Në Mollagjesh u hap shkolla e parë shqipe që në vitin 1932, si e para pas asaj Normale dhe pas dy të tjerave, njëra në Shpat të Elbasanit e tjetra në Vrap të Peqinit. Dy burrat e Mollagjeshit, Isuf Deliu dhe Sali Çela, morën udhën në këmbë drejt Ministrisë së Arsimit të kohës dhe siguruan pas një argumentimi këmbëngulës një dokument për hapjen e shkollës. Në kthim i zuri nata rrugës, e fjetën në një shpellë. Me lejen e hapjes së shkollës në gji, të nesërmen dhanë sihariqin e hapjes së saj në gjithë Grykën. Dhe, ndonjë skeptiku, që nuk pranonte të sillte fëmijën në shkollë, Sali Çela iu përgjigj me shembullin e tij. Qethi si çun vajzën e vetme dhe e dërgoi atë i pari në dhomën me lagështirë, që shërbeu si shkollë fillimisht. Ismail Kaca nga Bixëllenja, ishte përfaqësues i Ballit Kombëtar e Rrapush Hyka në Korrë, përfaqësues i Legalitetit. Por gjithçka e vunë në shërbim të banorëve të Grykës së Zaranikës e lirisë së vendit. Bashkëpunuan të tre, bashkë me Isuf Deliun, me një qëllim të vetëm; që pushka të ishte drejtuar vetëm kundër pushtuesit e të mbroheshin me çdo kusht vatrat e fshatarëve të kësaj Gryke. Gjurmë kanë lënë edhe Gani Çupi e Hasan Sherja në Korrë. Një fshat ky me mjaft tradita arsimdashëse. Në fshatin Mollagjesh ka jetuar edhe një plak mbi 100 vjeçar. Kalem Haka quhej. U jepte mend burrave të gjithë Grykës, e para mençurisë së tij tuteshin pushtetarët e kohës. Sot, njeriu me të njëjtin emër, është specialist blektorie në Funari. Ai flet edhe për turizmin në këtë zone. Por duket se ëndrrat e tij mbeten larg shpresës për realitet. Gryka e Zaranikës është një zonë myslimane e lidhur ngushtë me fenë e me ritet fetare. Dikur, gjashtë banorë të fshatit u dënuan me burg për shkak të besimit. Edhe xhamia u mbyll forcërisht pas kësaj ngjarjeje, për t’u hapur vetëm pas 23 vitesh, me fillimet e demokracisë. Zëri i hoxhës që dëgjohet sonte nga lartësia e minares, është një kujtesë edhe për ato sakrifica të bëra nga ato burra për mbrojtjen e dinjitetit fetar.
X X X
Gryka e Zaranikës, me të gjithë fshatrat e saj, tashmë I janë bashkuar Bashkisë së Elbasanit. Të gjithë kanë shpresë e besojmë, se jeta në kërto fshatra do të jetë ndryshe. Besojnë kështu, edhe për faktin se në qendër të Funarit gjendn poesë liqene me ujë të kaltëruar, rrethuar me dushqe e pisha. Por ëndërra për turizëm në këtë zonë, ende mbetet larg. Mbetet e tillë, pasi rruga atutomobilistike që e lidh me Elbasanin, kërkon fonde e investime. Pa le pastaj, premtimi për tu lidhur kjio zonë me kryeqytetin. Megjithatë banorët e këtushëm, mbeten të urdhtë e shpresëndjellës…Le të shpresojmë se Funari me të gjitha fshatrat e grykës së Zaranikës do të jetojnë më mirë dhe për rreth rezervuarëve të kësaj zone, shoqëruar me bukuri magjepsëse natyrore. Dora e njeriut dhe investimet e mjndshme, do të mund të ofrojnë dëshirën për të kaluar këtu kohë pushimesh në dimër e në verë.