Skenari politik; analizë përtej asaj që duket!

9 Minuta Lexim
Nga Albano ZHAPAJ-
Analizat nuk janë edhe aq objektive kur analisti është tepër i përfshirë tek/në ndonjë nga aktorët apo grupimet që merr përsipër të analizojë.
Analisti duhet të dijë të integrojë në analizë edhe të kundërtat e fakteve apo elementëve që i ofron tabloja politike, apo atyre që duken sikur s’kanë lidhje direkte me situatën.
Me fjalë të tjera, kush merr përsipër të bëjë një analizë politike, ose jo, duhet të dijë edhe të dyshojë mbi atë që i ofrohet e “qartë”. Dyshimi është kriter që të çon drejt të vërtetës, ose të paktën drejt një analize më objektive.
Thënë kjo; lexojmë e dëgjojmë përditë që Rama po e mbron Bashën sepse i duhet për të mbajtur pushtetin. Dhe përditë dalin fakte e analiza të reja mbi çështjen.
Kur ripohojmë bashkëpunimin Rama-Basha, qoftë edhe duke sjellë fakte të reja, çfarë të reje sjell analiza, ku qëndron gjetja e saj?
Bashkëpunimi mes tyre tashmë është një fakt dhe për ta rivërtetuar s’ka më nevojë për gjetje të reja. Rrjedhimisht çdo analizë mbi bashkëpunimin Rama-Basha, dashur padashur, orienton vëmendjen e lexuesit vetëm tek bashkëpunimi, e jo përtej tij, pikërisht aty ku ndoshta dëshiron edhe vetë kryepushtetari Rama.
Përditë shikohet sesi qeveria apo kryebashkiaku i Tiranës i mbush sallat L.Bashës nëpër takimet e tij anti-Foltore; përditë shikohet sesi policia monitoron mbarëvajtjen e takimeve të Bashës; dhe përditë shikohet sesi makinat e policisë, parkuar tek hyrja, ruajnë godinën e PD-së.
Rama përqëndron vëmendjen tek shfryrja e mllefit demokrat ndaj tradhtarit Basha, duke i zënë ata me punë, ndërsa ky tjetri gjen fajtorin tek Doktor Berisha dhe Presidenti Meta, duke futur edhe Ramën (me lejen e tij sigurisht) në atë që ai quan “Trekëndëshi i Bermudës”.
Mirë matematikën që ja dimë, por ky po na fëlliq edhe me gjeografinë, pasi për të shkuar në Washington, nuk ke nevojë të kalosh përmes Trekëndëshit të Bermudës, i bie goxha larg andej, pra se pengon Trekëndëshi por mosnjohja e koordinatave.
Nejse, shikoni pra, se çfarë tabloje të pastër na kanë ofruar, dhe çdo analizë bëhet veç mbi këto fakte e mbi këto elementë, dulet se del në të njëjtat përfundime, njësoj siç pushteti do dëshironte që të duket.
Por, po të analizojmë edhe fakte të tjera, ndoshta analizat tona do të merrnin një drejtim tjetër, ndoshta do të mund të zbulojmë diçka tjetër që fshihet pikërisht mbas këtij orientimi të “bashkëpunimit” të hapur mes Ramës e Bashës.
Psh; le të analizojmë mbi këto premisa:
-Rama për katër vjet ska nevojë për Bashën;
-Rama nuk është aq naiv sa ti besojë Bashës;
-Rama e di që Basha tradhtoi krijuesin e tij;
-Rama e di që edhe ai vetë tradhtoi Nanon;
-Rama e di që një ditë do i vijë radha edhe atij;
-Rama e di që Veliaj pret ti vijë radha;
-Rama nuk është aq naiv sa ti besojë Velisë;
-Rama nuk është aq naiv sa tu besojë të dyve;
-Rama nuk është aq naiv sa të bjerë pre e tyre;
-Rama e di që po lëshoi karrigen, merr fund.
Nga ana tjetër dimë se:
-Veliaj po i mbush sallat e Bashës;
-Veliaj po fut njerëzit e tij në PD-në e Bashës;
-Veliaj mbështet logjistikën e Bashës;
-Veliaj ndihmon edhe financiarisht, pse jo;
-Veliaj e di që Basha ka kryer punë me PD-në;
-Veliaj e di që Bardhi se merr dot PD-në;
-Veliaj e ka të vështirë ti marrë vendin Rama;
-Veliaj e ka më të lehtë ti marrë vendin Bashës;
Nisur nga këto premisa, Ramës me siguri që i është dashur të gjejë si rrugëzgjidhje mbajtjen ngrohtë të Bashës dhe ndjekësëve të tij, joshjen me pak pushtet, dhe në të njëjtë kohë ti sigurojë një të ardhme si lider politik Veliajt, në mënyrë që ky i fundit të mos ta hajë në fushën e shahut brenda pushtetit.
Me një analize më të vëmendshme të gjithë premisave të lartpërmendura, dhe duke marrë parasysh djallëzinë politike të Ramës, lindin dyshime të arsyeshme që po pregatitet terreni që numri dy i pushtetit të socialistëve, E.Veliaj, të marrë në dorë drejtimin e PD-së dhe opozitës së ardhshme.
Mos u çuditni hiç! Fshati po duket e s’do shumë kallauz!
Është e vetmja mënyrë tinzare që me një gurë të vriten dy zogjë, pra, nga njëra anë sigurohet jetëgjatësia në pushtet për Ramën dhe, nga ana tjetër sigurohet një e ardhme prej lideri politik për Veliaj.
Nuk di të them me siguri nëse kjo ide është sugjeruar nga Soros, është ide e Ramës, apo ka lindur si ide e Veliajt. As nuk di të them nëse Basha është pjesë e këtij skenari me apo pa vetëdije, me dëshirë apo me imponim.
Di të them me siguri se Veliaj ësjtë i qartë që nuk e ha dot Ramën, ai e di mirë që Rama është mjeshtër i shahut politik pushtet, se veçse hëngri mbretin Babo Nano, mësoi edhe Bashën se si të hajë mbretin Bac Berishë (Ndryshimi i vetëm është se Rama i bëri Nanos Shah-Mat pasi i kishte marrë gjithë ushtarët dhe oficerët, ndërsa Basha i bëri direkt Shah Berishës kur vetë s’kishte gurë mjaftueshëm, ndërsa doktori kishte gjithë ushtarët e oficerët në fushë.)
Di të them me siguri se edhe Doktor Berisha do ta ketë kuptuar në kohë këtë lojë të rrezikshme të kapjes së PD-së dhe kthimit të saj në opozitë farsë, lojë e cila do të fshinte historinë e pluralizmit në vend, por dhe gjithë përpjekjet dhe kontributin e Doktorit, mirë apo keq, për PD-në dhe Shqipërinë postdiktatoriale.
Mendoni pak sikur të realizohet një skenar i tillë i kapjes përfundimtare të PD, me Valiajn kryetar opozite, sesi e çon Shqipërinë pushteti i sotëm në një diktaturë të paafatshme për shoqërinë.
Do i bie të kemi një qeveri që do të bëjë sikur qeveris dhe një opozitë që do të bëjë sikur bën opozitë. Herë pas here do shkëmbejnë karriget, sa për ti kënaqur, apo hedhur hi syve edhe perëndimorëve.
Basha nga ana e tij e ka kuptuar që nuk bën dot pa Ramën dhe Veliajn, ai e di se mbështetësit do ti firojnë dhe nuk ecën dot përpara. Kjo nevojë e Bashës është një mundësi e artë për Ramën dhe Veliajn që të fusin njerëzit e tyre në çdo hallkë strukturore të PD-së së vulës.
Kapja e strukturave të PD-së së vulës nga ana e pushtetit, duke filluar nga seksinonet, grupseksionet, Këshilli Kombëtar dhe Kuvendi Kombëtar, do ta bëjë më të thjeshtë zgjedhjen e Veliaj, si kryetar të ri të “opozitës”.
Nëse do të duam ta shikojmë situatën e re politike me syrin e të diplomuarit në Akademinë e Çobanëve, e ardhmja që na ofrohet do të jetë e tipit:
“Të tjerë çobanë, të tjerë qenë, të njëjtat dele”!
Kësisoj, në kushtet kur perëndimorëve më tepër sesa mirëqenia, liria dhe pluralizmi ynë, u ha meraku për interesat e tyre dhe ekuilibrin gjeopolitik të rajonit, mburojë më e mirë për momentin, për mbijetesën e pluralizmit tonë politik dhe atyre pak lirive postdiktatoriale që kemi fituar, nuk mund të jetë askush veç doktor Berishës.
Nëse duam të kuptojmë, le të “Rrimë shtrembër, e të flasim drejt”, siç na kanë mësuar të parët!
Në daç jo, më lajmëroni kur Rama e Veliaj tja kenë marrë PD-në Bashës, për pesë franga!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull