Australia ka ofruar gaz natyror të lëngshëm shtesë për Evropën, nëse Rusia vendos të ndërpresë furnizimet me energji ndërsa rriten tensionet lidhur me Ukrainën.
Ndërsa tensionet po shtohen midis Rusisë dhe Perëndimit, ka shqetësim në rritje se Moska mund të pakësojë ose ndërpresë furnizimet me gaz për Evropën. Bashkimi Evropian tashmë ka mungesë të gazit pasi lehtësimi i kufizimeve të COVID-19 solli kërkesa të mëdha ndërsa rezervat ishin pakësuar. BE-ja varet nga Rusia për rreth një të tretën e furnizimeve të saj me gaz dhe mund të ketë nevojë për burime alternative pasi përshkallëzohet frika për një pushtim rus të Ukrainës.
Australia është një nga prodhuesit kryesorë në botë të gazit natyror të lëngshëm dhe është e përgatitur të rrisë eksportet e saj për vendet evropiane. Ministri i Tregtisë Dan Tehan tha në një deklaratë të enjten se Australia ishte “e gatshme të mbështesë miqtë dhe aleatët në mjedisin aktual sfidues dhe kompleks, gjeostrategjik”.
Tony Wood, drejtor i Programit të Energjisë në Institutin Grattan, një organizatë kërkimore australiane, i tha rrjetit televiziv “Australian Broadcasting Corp.” se Australia ishte në gjendje të mirë për të ndihmuar.
“Australia, Shtetet e Bashkuara dhe Katari, të marra së bashku, ofrojnë rreth 50% të gazit natyror të lëngshëm në botë përmes transportit, ndërsa ajo që ofron Rusia, padyshim është përmes gazsjellësit,” tha ai.
“Por ka njëfarë fleksibiliteti. Ajo që po ndodh tani është se ata po kërkojnë të shohin nëse mund të marrin furnizime nga diku tjetër. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të koordinojnë një pjesë të tyre, dhe një pjesë e gazit australian tashmë është përdorur për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit për momentin, dhe, natyrisht, problemi mund të përkeqësohet nëse situata në Ukrainë përkeqësohet.”
Eksportet e gazit të Rusisë në Evropë shpërndahen kryesisht përmes tubacioneve që kalojnë përmes Ukrainës ose vendeve të tjera të Evropës Lindore. Moska ka këmbëngulur se sistemi ukrainas ishte i rrënuar dhe ka akuzuar fqinjin e saj për vjedhjen e gazit.
Analistët kanë thënë se Rusia mund të përdorë tensionet rreth Ukrainës për të promovuar planin e saj për një tubacion të ri gazi në Gjermani që anashkalon Poloninë dhe Ukrainën. Qeveria australiane u ka kërkuar gjithashtu qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Ukraina, ndërsa trupat ruse janë grumbulluar në kufi dhe kërcënimi i një pushtimi po rritet.
Qeveria ka vlerësuar se janë rreth 1,400 australianë në Ukrainë. Ministrja e Punëve të Jashtme Marise Payne tha të martën se këshilla për t’u larguar ishte “një hap i kujdesshëm dhe i matur sepse situata e sigurisë është e paparashikueshme”.VOA