Nga Olivia DURAND-
Një pamflet politik i botuar në vitin 1762, përshkruante një bisedë midis “Rusisë së Madhe” dhe“Rusisë së Vogël”. Gjatë “diskutimit”, kjo e fundit refuzonte të reduktohej thjesht në një pjesë të Rusisë së Madhe, duke qenë e vendosur të paraqiste historinë dhe identitetin e saj unik.
Në atë kohë, emri “Ukrainë” nuk përcaktonte ende një shtet. Por‘ukraina’, një fjalë që do të thoshte “vend kufitar” në disa gjuhë sllave, ishte përdorur tashmë për të përshkruar territorin e saj të ardhshëm:rajonin e madh të stepave që rrethon lumin Dniepër, dhe që kufizohet me Detin e Zi.
Termi “Rusia e Vogël”, u braktis gradualisht në epokën e nacionalizmit, teksa akademikët dhe mendimtarët ukrainisht-folës të shekullit XIX-të vendosën që ta linin pas termin e vjetër përçmues, për të krijuar idenë moderne të Ukrainës si një komb.
Por 2 shekuj më vonë nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, Rusia po i shfrytëzon këto diskurse historike për të justifikuar sulmet e saj ndaj Ukrainës së pavarur. Ai i bëri të qarta ndjenjat e tij në një artikull të botuar në korrikun e vitit 2021 në faqen e internetit të presidencës ruse, kur i përshkroi për rusët dhe ukrainasit si “një popull, një tërësi e vetme”.
Kryeqyteti i Ukrainës, është përshkruar vazhdimisht si “nëna e qyteteve ruse”. Kievi ishte në qendër të Rusisë së Kievanit (882-1240), një shtet ortodoks mesjetar, tek i cili e gjurmojnë origjinën e vendit të tyre udhëheqësit rusë, nga Carët e dikurshëm deri tek Putini sot (një prejardhje e pohuar edhe nga Bjellorusia dhe Ukraina).
Ky pretendim, përdoret shpesh për të mbështetur pretendimet e Rusisë mbi territoret ukrainase. Por ky është një keqkuptim. Ndërsa paraardhësja e perandorisë ruse, Moskovi, u ngrit si pasojë e pushtimit mongol (1237-1240) që shënoi fundin e Rusisë, sundimtarët e Moskës e morën kontrollin e Kievit vetëm 500 vjet më vonë.
Pretendimi mbi origjinën e Kievanit, ishte më shumë një metodë e përshtatshme për të mohuar elementin mongol dhe tatar, që i dha formë zhvillimit të hershëm të Moskovit, dhe në vend të kësaj për t’i dhënë Rusisë një të kaluar ortodokse, me Carët që pretendohej se ishin emëruar në fron nga vetë Zoti.
Ndikimi territorial i Rusisë mbi mbetjet e Rusisë së vjetër, u kufizua nga Komonuelthi Polako-Lituanez (1569-1795), një konfederatë e dy fuqive të Evropës Qendrore. Shumica e rajonit të njohur si Ukraina mbeti jashtë autoritetit rus, deri në ndarjen përfundimtare të Polonisë në vitin 1795.
Ukraina është një nga shtetet më të mëdha të Evropës, dhe gjeografia e saj u ndikua nga shumë më tepër sfera sesa vetëm Rusia. Meqë në fillim termi Ukrainë do të thoshte “tokë kufitare”, ky territori gjerë ishte vënë nën shënjestër nga disa mbretëri, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Khanati i Krimesë, Mbretëria e Polonisë dhe perandoritë Habsburge dhe Osmane.
Para vitit 1648, gati të gjithë ukrainasit jetonin nën sundimin e Varshavës. Zona e stepave jugore të Ukrainës, kishte një popullsi të paktë, ndërsa në perëndim Hungaria e kishte sunduar që nga Mesjeta Transkarpatinë. Ndërkohë qytetet kryesore ukrainëse si Lvivi apo Ternopili ishin herë nën sundimin e polakëve dhe herë të tjera të austriakëve.
Këto qytete u bënë për pak kohë qendrat e Republikës Popullore të Ukrainës Perëndimore midis viteve 1917-1921, përpara integrimit të tyre në Bashkimin Sovjetik. Që nga viti 2014, rajoni i Donbasit në lindje dhe bregu i Detit të Zi, kanë qenë në qendër të konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë.
Kjo tokë njihej si “Rusia e Re” (Novorossiya) nga Caresha Katerina e Madhe,kur ushtritë e saj i pushtuan ato në vitet 1770. Por vetëm disa rusë u zhvendosën në “fushën e egër” të Ukrainës jugore (dikoe pole), gjë që nxiti rekrutimin e kolonëve të huaj nga vende të tjera të Evropës.
Prandaj “Rusia e Re” nuk ka qenë asnjëherë shumë ruse. Historikisht, territori i saj u banua nga menonitët dhe gjermanë katolikë, nga tregtarë francezë dhe italianë, si dhe nga një numër i madh grekësh, hebrenjsh (nga Polonia dhe Ukraina perëndimore), nga bullgarë, serbë dhe sigurisht nga ukrainas.
Kur Vladimir Putin i referohet këtij rajoni të madh si “Rusia e Re”, ai ripërdor një keqkuptim të së kaluarës multi-etnike të Ukrainës. Përpjekja për të kuptuar Ukrainën vetëm përmes prizmit rus është kufizuese:identiteti ukrainas është një sintezë e popullsisë së saj multi-kulturore, e cila është e lidhur jo vetëm me Rusinë, por gjithashtu në thelb edhe me shtetet e Evropës Qendrore dhe rajonin e Detit të Zi.
Rritja e lëvizjes nacionaliste ukrainase në shekullin XIX-të, u pa nga autoritetet ruse si një shenjë e ndikimeve të huaja korruptive. Madje ndoshta edhe si rezultat i një komploti perëndimor. Identiteti ukrainas u karakterizua si i varur nga një kulturë e lartë urbane ruse, teksa gjuha ukrainase lidhej me zonat rurale
Gjuha ruse mbeti një mjet i lëvizshmërisë sociale, pra shumë thelbësore për cilindo që donte të bëhej pjesë e administratës së perandorisë ruse, dhe të përmirësonte statusin e tyre socio-ekonomik. Ende sot në Ukrainë, rusishtja mbetet një gjuhë e përshtatshme për punësim, e përdorur nga shumë biznese dhe industri të teknologjisë.
Gjuha ukrainase flitej shumë kohë përpara botimeve të para të Taras Shevçenkos në këtë gjuhë në vitet 1830. Por alfabeti i tij nuk u standardizua deri në fundin e shekullit XIX-të. Fillimisht, ukrainishtja u inkurajua nga autoritetet cariste si një kundërvënie ndaj ndikimit polak.
Por kur u forcuan shoqëritë klandestine ukrainase (Hromady) që kryenin studime dhe kërkime mbi kulturën popullore, qeveria cariste i shpalli në vitin 1876 si të paligjshme të gjitha botimet dhe shfaqjet në gjuhën ukrainase.
Pas vitit 1917, Ukraina përjetoi një “pranverë kulturore” jetëshkurtër për shkak të politikave të indigjenizimit (korenizatsiia) nga bolshevikët. Në fillim këta të fundit inkurajuan përdorimin e gjuhëve kombëtare për të minuar dominimin kulturor rus.
Kështu deri në vitin 1931, 89 për qind e gazetave botoheshin në gjuhën ukrainase, ndërsa atë e mësonin në shkolla 97 për qind e nxënësve. Por Stalini i ndryshoi këto politika në vitin 1932. Zija e bukës, Holodomori, që vrau rreth 3.5 milionë njerëz vetëm në Ukrainë në vitet 1932-1933, shkatërroi atë pjesë vitale të popullsinë që mundi të ruante shenjat sociale dhe kulturore të një identiteti kombëtar.
Ajo katastrofë e ndryshoi ekuilibrin demografik të vendit, me humbjen e 1/3 së popullsisë së Ukrainës. Lufta e Dytë Botërore shënoi gjithashtu humbjen e së kaluarës së pasur multi-etnike të Ukrainës, me ekzekutimin dhe dëbimin e popullsisë së saj hebreje, dhe gati zhdukjen e plotë të popullsisë etnike tatare të Krimesë.
Në vitin 1946, në këtë vend kishin mbetur vetëm 25 milionë banorë, dhe kjo e hapi vendin ndaj migrimit në rritje nga pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik, sidomos nga Rusia. Shkatërrimi i shoqërisë ukrainase të paraluftës dhe zëvendësimi i saj me mbështetës të ideologjisë së Rusisë së Madhe, u përforcua nga reforma e gjuhës dhe arsimit e vitit 1958, e cila synonte ta bënte rusishten gjuhën e dytë amtare të të gjithë popujve jo-rusë.
Në kohën e pavarësisë së Ukrainës në vitin 1991, 1/3 e popullsisë përbëhej nga këta emigrantë rusofonë dhe pasardhësit e tyre, sidomos në pjesën lindore industriale dhe në Krime. Deri më sot, Ukraina është shtëpia e popullsisë më të madhe të rusisht-folësve jashtë Rusisë.
Në vitin 1991, 90 për qind e popullsisë votoi pro një Ukraine autonome. Sot, 30 vjet më vonë, Ukraina e sheh veten si një shtet post-kolonial dhe shumëkombësh. As “rus” dhe as si një “Rusi e Vogël”. Ndërsa politikanët rusë vazhdojnë ta cilësojnë Ukrainën si ruse për përfitimet e tyre, kjo pikëpamje e injoron rezistencën e madhe të këtij vendi përballë asimilimit të detyruar, diferencimit kulturor dhe shfrytëzimit kolonial. / “The Conversation” – Bota.al