E gjithë shpresa e Saliut është te Rama

3 Minuta Lexim
Basha duhet të mos mendojë më për Saliun, por për të krijuar skemën se si do ta mundë Ramën me anë te zgjedhjeve të parakohshme.  Zgjedhjet e parakohshme dhe likuidimi tërësisht i Saliut, është e njëjta gjë…
Nga Spartak NGJELA –
E gjithë shpresa e Saliut është te Rama, dhe, e gjithë shpresa e Ramës është te Saliu. Kjo është koha e sotme. Të dy janë të trembur nga rigrupimi i Partisë Demokratike, pa Saliun dhe pa sindromat e tij patologjike.
Partia Demokratike, deri tani, ka qenë një grupim sindromatik sipas sëmundjes së Saliut.
Tani, më në fund, ajo u çlirua.
Por kemi ngjarje përpara, dhe Lulzim Basha duhet të jetë i përgatitur. Ai tregoi forcë intelekti në përjashtimin e Saliut nga Partia Demokratike, në dy faza; por tani i duhet forca e reformatorit, në parti dhe në shtet.
Votimi i Saliut dje, ishte një dështim i radhës dhe mashtrim në votim, sipas ligësisë Berisha.
Gjë e zakonshme tani; sepse Berisha e urren votën e lirë; ngaqë kjo i është dukur gjithmonë sikur të jetë një institucion i ngritur kundër tij; a thua se ai vetë është një monark. Një tragjikomedi klasike ka qenë kjo për 30 vjet në Shqipëri; por tani u hodh në koshin e mbeturinave.
Kurse Basha duhet të mos mendojë më për Saliun, por për të krijuar skemën se si do ta mundë Ramën me anë te zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme dhe likuidimi tërësisht i Saliut, është e njëjta gjë, sepse ky është një raport, i cili do të vijë e të vendoset domosdoshmërisht pas eliminimit tërësor të Saliut; raport ky, që, sipas analizave profesionale, mendohet se do të krijohet brenda këtij muaji.
Po Rama, si po ndihet? Dallohet që është shumë keq kur mendon eliminimin e Saliut; sepse e di që, pa Berishën e djathta fillon rigrupimin e saj cilësor.
Si përfundim; na duhet të theksojmë se:
Është fundosja juridiko-penale përfundimtare e Saliut; çështje e këtij muaji; dhe pastaj vijnë me radhë: rigrupimi demokratik djathtas i Partisë Demokratike që të çon në zgjedhjet e parakohshme. Këta dy aspekte mbartin me vete progresin demokratik të kësaj kohe.
Po korrupsioni i lartë shtetëror si do ta presë këtë kohë? Me alarm; sigurisht. Por nuk ka se çfarë të bëje; sepse e gjithë shpresa e tij ka qenë, dhe shihet që te jetë, falë kryefjalës së korrupsionit shqiptar: Sali Berisha. Janë në lidhje pra: korrupsioni i lartë shtetëror që po rrënkon, likuidimi i Berishës dhe zhvillimi modern i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Kjo është filozofia aktuale e progresit shqiptar; që do t’i gëzojë shqiptarët, por që do t’i thimosë për vdekje: korrupsionin e lartë në Tirane dhe, edhe pushtuesit e territoreve shqiptare, gjithashtu.
Prisni dhe shikoni.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull