Gjatë ditëve të fundit, çmimi i naftës në vend është rritur sërish duke shkuar deri në 195 lekë për litër, mirëpo kjo rritje sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, do të jetë kalimtare dhe se qeveria po monitoron që kjo rritje e çmimit të naftës të mos ketë efekte zinxhir edhe rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.
Pavarësisht kësaj rritje të çmimit Ibrahimaj tha se nuk është e nevojshme që të rishikohen taksat për naftën dhe nënproduktet e saj. Kjo sepse sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj kjo është një luhajtje momentale e tregut.
“Rritja e çmimit të naftës janë dhe kanë qenë subjekt i rritjeve prej muajsh, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend, janë të ndikuara nga rritja e çmimeve në bursa dhe ne jemi në monitorim të vazhdueshëm që të mos kenë efekte zinxhir. Unë dua të garantoj që ne nuk mund të ndërhyrjmë në çmime, mund të marrim politika të tjera mbrojtëse. Pritet që këto çmime të reduktohen pas 6 mujorit të këtij viti, rritja e çmimeve do të jetë kalimtare. Politikat e taksave nuk mund të ndikohen nga luhatja e çmimeve. Për momentin nuk ka asnjë rishikim të politikave të taksave”, tha ajo.
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot edhe vendimin për pagën minimale edhe për vitin 2022 për naftëtarët e Ballshit.
“Në 2022 do ketë një pagesë kalimtare me pagë minimale dhe sigurime që do u jepen ish-punonjësve të rafinerisë së punonjësve të Ballshit. Ish punonjësit të dorëzojnë dokumentacionin”, tha Ibrahimaj.