Shkak për shkarkimin e gjyqtares ishin problemet me pasurinë dhe paaftësia për të justifikuar me burime të ligjshme atë. Gjatë hetimit administrative, KPK gjeti se gjyqtarja ka kryer deklarim të pasaktë të kësteve të paguara për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 57 metër katrorë në Tiranë, me vlerë 39 mijë euro, në vitin 2004.
Për blejen e apartamentit, Kondi ka deklaruar se ka marrë dy kredi: një të marrë në “Alpha Bank” më 7 korrik 2005 në vlerën 2.5 milionë lekë dhe tjetrën nga fondacioni Besa në shumën 500 mijë lekë.
Gjyqtarja ka deklaruar se ka paguar në vitin 2004 12 mijë euro dhe në vitin 2005 vlerën 23 mijë euro kompanisë së ndërtimit. Sipas KPK, ajo nuk ka raportuar në deklaratën e vitin 2005 se ka një detyrim të pashlyer për shtëpinë në vlerën 4 mijë euro – si dhe pagesën në vitin 2006 të kësaj shume, që përfaqësonte këstin e fundit.
Relatorja u shpreh se “në një përllogaritje formale matematikore krijohen dyshime mbi vlerën reale të paguar prej 39 mijë euro.” Po ashtu, KPK gjeti se në vitin 2010, Kondi ka pasur balancë negative pasurie në vlerën 1.593.639 lekë, në të njëjtin vit kur ka shlyerjen kredinë.
Gjyqtarja ishte pjesë edhe emisionit investigativ Top Story mbi mënyrën se si kishte përfituar kreditë të butë. Gjatë hetimit të pasurisë së gjyqtares Bernina Kondi, rezulton se familja e saj zotëron dy apartamente në Tiranë. Edhe pse me dy prona, ajo ka përfituar një kredi të butë si e pastrehë. Kjo është absurde, pasi kreditë e buta jepen për ata që nuk kanë një banesë, dhe jo për gjyqtarë me 2 apartamente.