Syri i keq: Historia e mallkimit të lashtë, që besohet ende në ditët e sotme

8 Minuta Lexim

Syri i keq, është vështrimi njerëzor, që besohet se i shkakton dëm dikujt apo diçkaje. Dëmi i mbinatyrshëm mund të vijë në formën e një fatkeqësie të vogël, një sëmundjeje më serioze, lëndimit, madje edhe vdekjes.

Folkloristi Alan Dandes shkruan në librin e tij “Syri i Keq: Historia e rasteve më domethënëse”, se “fati, shëndeti i mirë apo pamja e bukur e viktimës, provokojnë një sulm nga dikush nëpërmjet Syrit të Keq…”. “Simptomat e sëmundjes së shkaktuar nga Syri i Keq përfshijnë humbjen e oreksit, zverdhjen e tepruar të lëkurës, lemzën, të vjellat dhe temperaturën e lartë. Nëse objekti i sulmuar është një lopë, qumështi i saj mund të shterrë; nëse është një bimë apo pemë frutore, ajo  mund të thahet papritmas”- shton ai.

Sipas Armando Favacas, thuhet se Syri i Keq shkakton gjithashtu një sërë sëmundjesh të tjera përfshirë pagjumësinë, lodhjen, depresionin dhe diarrenë. Në shumë vende, këto simptoma  konsiderohen si një çështje magjike dhe mjekësore, dhe arsyeja se përse një person i caktuar preket nga një sëmundjeje, mund t’i atribuohet një mallkimi  të rastësishëm apo ekspozimit ndaj një virusi.

Madje sipas studiuesit Robert Elsi, mallkimi mund të prekë objekte dhe ndërtesa. Syri i Keq mbi një automjet, mund ta prishë këtë të fundit në një mënyrë të pariparueshme, ndërsa një shtëpi e mallkuar në të njëjtën formë, mund të nisë të ketë shumë shpejt probleme me çatinë që pikon kur bie shi, apo një infektim nga insektet.

Gati çdo gjë që shkon keq, mund të shpjegohet me fuqinë e Syrit të Keq. Ky fenomen është i mirënjohur gjatë gjithë historisë. Ai përmendet në tekstet e lashta greke dhe romake, si dhe në shumë vepra të famshme letrare, duke përfshirë Biblën (si Proverbat 23:6: “Mos ha bukën e atij që ka Syrin e Keq, dhe mos dëshiro as ushqimet e tij të shijshme”).

Ai vërehet edhe në Kur’an, por edhe në dramat e Shekspirit. Edhe pse besimi tek Syri i Keq është i përhapur, ai nuk është universal. Një studim ndërkulturor i vitit 1976 nga folkloristi Xhon Roberts, zbuloi se vetëm 36 përqind e kulturave besonin në konceptin e Syrit të Keq.

Syri i Keq është në thelb një lloj specifik i mallkimit nëpërmjet magjisë, dhe i ka rrënjët tek bestytnitë. Marrim shembullin e një njeriu fatkeq, me probleme të vazhdueshme shëndetësore, që ka pësuar një aksident të rëndë, apo është prekur nga një sëmundje infektive.

Përpara se shkenca të shpjegonte modelet e motit dhe teorinë e mikrobeve, çdo ngjarje e keqe për të cilën nuk kishte një shkak të dukshëm, shpjegohej me një mallkim.

Mallkimet, duke përfshirë edhe Syrin e Keq, janë një përgjigje ndaj pyetjes shumë të vjetër, se pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija. Thuhet se sytë kanë fuqi të veçanta; pasi ato janë “porta e shpirtit” të një njeriu. Lëvizja e shpeshtë e syve, besohet se i tradhton gënjeshtarët.

Ndërkohë, një vështrim zhbirues mund të jetë tërheqës ose kërcënues në varësi të rrethanave. Kontakti me sy, mund të krijojë një lidhje intensive personale, qoftë midis të dashuruarve apo eprorëve dhe vartësve. Një vështrim ngultazi, mund të përcjellë fuqi dhe autoritet mbi një tjetër.

Aktorët i përdorin sytë e tyre për të përcjellë një gamë të gjerë emocionesh, duke përfshirë dashurinë, urrejtjen, neverinë, mërzinë, përbuzjen, habinë dhe zilinë. Në fakt, është xhelozia ajo që qëndron në themel të lidhjes kulturore të Syrit të Keq me magjinë.

Besimi tek fuqia e syve është aq i fuqishëm, sa që çdo pikëllim i syve sugjeron fatin e keq. Njerëzit që kanë dridhje ose spazma të pakontrollueshme të syve (një gjendje e quajtur blefarospazma), shmangeshin nga të tjerët si provokues të fatit të keq, veçanërisht në mesin e atyre që punonin në profesione të rrezikshme si peshkimi dhe puna në minierë.

Po ashtu besohet se foshnjat e porsalindura dhe fëmijët, janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj dëmeve që mund të sjellë Syri i Keq. Ndaj në shumë vende, si në Greqi, Rumani dhe Indi, lëvdimi publik i një fëmije konsiderohet ndonjëherë si një tabu, pasi komplimenti do të tërheqë vëmendjen e Syrit të Keq.

Për të shmangur syrin e keq, prindërit e një fëmije të lavdëruar, mund t’i kërkojnë personit që ka bërë komplimentin që ta pështyjë menjëherë në fytyrë fëmijën. Sipas Entoni H.Galt “fëmijët mbrohen nga Syri i Keq përmes hamajlive të mbështjellë brenda veshjeve të tyre, të cilat për shembull në Itali përbëhen nga çanta të vogla pëlhure të kuqe (nganjëherë në formë zemre) që duken si jastëkë, dhe që përmbajnë një figurinë (imazhin e një shejtori), një bri të vogël prej ari, kthetrat e gaforres, apo një copë hekuri”.

Po kush e ka Syrin e Keq? Ndoshta ju vetë. Shumë njerëz besojnë se për ta pasur Syrin e  Keq, nuk është i nevojshëm ndonjë qëllim i keq. Ndaj disa njerëz mund të kenë Syrin e Keq  edhe pa e ditur këtë. Nëse një person besohet se ka Syrin e Keq, edhe anëtarët e tjerë të familjes së tyre shihen shpesh me dyshim.

Mënyra më e mirë për t’u përbalur me Syrin e Keq, është ta shmangni atë nëse keni mundësi. Dhe metodat në këtë rast ndryshojnë sipas kulturës, rajonit gjeografik dhe preferencës personale. Në Amerikën Latine syri i keq njihet si “Mal de Ojo”, dhe ky besim është veçanërisht i përhapur në zonat rurale.

Për shembull në Kubë, të sapolindurve u vendoset një hamajli fati e quajtur “azabache”, për t’i mbrojtur ata nga Syri i Keq. Hamajlitë më të shpeshta përdorin shpesh ngjyrën blu (që simbolizon qiellin ose hyjnoren), dhe një simbol të syrit.

Por kundër Syrit të Keq, mund të përgatiten edhe ilaçe dhe magji. Hudhra përdoret shpesh për të penguar Syrin e Keq, dhe disa besojnë se vetëm duke thënë fjalën “hudhër” ajo ofron mbrojtje. Shumë shpesh, ata që besojnë se janë dëmtuar nga Syri i Keq do të kërkojnë ndihmën e shamanëve, shtriganëve, spiritualistëve për të hequr mallkimin.

Është joshëse të shihet Syri i Keq si një besim i lashtë, që nuk luan asnjë rol në botën tonë të shekullit XXI-të. Por folkloristi Dandes, thotë se “nuk duhet haruar se Syri i Keq, nuk është një besim supersticioz i modës së vjetër, pasi vazhdon të jetë një faktor i fuqishëm që ndikon në sjelljen e miliona njerëzve në të gjithë botën”. /Bota.al/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull