Letra e plote:
KOALICIONI i SHOQATAVE TË PRONARËVE SHQIPËTARË TË TOKAVE
Adresa:Bulevardi Bajram Curri, pall 6, shk3, ap.24
Tiranë
Tiranë, më 31 Janar 2022
Lënda: Apel S.O.S. për zgjidhjen e çështjes së sigurisë së titujve të pronësisë në Shqipëri, si kusht për stabilitetin politik, ekonomik dhe social dhe nxitjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Ambasadores së SHBA në Tiranë znj. Yuri Kim
Shkëlqesia Juaj
Duke shprehur konsideratën e madhe për Ju personalisht dhe politikën e D.A.SH, që Ju përfaqësoni dhe duke ju falenderuar për angazhimin tuaj personal për të ndihmuar Shqipërinë për ta futur në rrugën e demokracisë dhe zbatimit të parimeve bazë të ekonomisë së tregut, duke rikujtuar dhe theksuar se zgjidhja është e thjeshtë, por mungon vullneti politik, ju drejtojmë këtë APEL S.O.S.
1. Ish ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin; në datën 22.06.2018, organizoi një takim të përbashkët në nivel akademik me pjesëmarrje të gjërë me grupet e interesit dhe Qeverinë Shqipëtare në prezencë të rreth 10 ekspertëve të pavarur, të dërguar nga KE dhe të shumë mediave. Znj. Vlahutin i cilësoi të gjithë ligjet e pronave, si elementë juridik që pas vitit 1991 kanë shkatërruar ekonominë, duke sjellë pasoja të rënda sociale dhe deklaroi se Bashkimi Europian nuk do ta tolerojë më shkeljen e të drejtave të njeriut dhe brenda vitit 2018, do të fillojë një reformë të re për pronat krahas reformës në drejtësi, për të ndërtuar një ligj të ri, i cili do të korigjojë gjithë gabimet e ligjeve të mëparshme.
2. Deklarimi i Ambasadores së BE u përmbys sepse me datën 19.09.2018, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës miratoi një rezolutë për Shqipërinë me të cilën ra dakort me Qeverinë Shqipëtare se mekanizmi i kompesimit të pronareve nëpërmjet ligjit nr. 133 / 2015 është funksional dhe efektiv dhe në përputhje me kërkesat e gjykatës së Strasburgut, të shprehura në vendimin pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” të vitit 2012. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, vendosi të mos ushtrojë më tej mbikqyrjen e tij në Shqipëri për problemin e titujve të pronësisë dhe ka tërhequr ekspertët e pavarur që kishte dërguar, duke e konsideruar këtë një sukses. Realiteti është krejt ndryshe. Konkluzioni i Komitetit të Minstrave të KiE, rezulton i gabuar dhe në shkelje flagrante me detyrimin e shtetit për respektimin e origjinës së pronës konform neneve 41 dhe 181 të Kushtetutës në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
3. Rezoluta e KE datë 19.09.1018, përmbysi të gjithë optimizmin që komunikoi ambasadorja Vlahutin se sistemi mafioz do të luftohet. Ambasadori në detyrë, z. Luigi Soreca prej vitit 2019 nuk është shprehur për asnjë nga kërkesat tona të përsëritura. Ky qëndrim i dyzuar, shkel parimet bazë të Konventës dhe sakrifikon Shqipërinë për interesa klanore të oligarkisë politike, të mafies shqiptare dhe të huaj të pastrimit të parave të pajustifikuara nëpërmjet investimeve dhe ndërtimeve të hoteleve etj. në toka të pronarëve që janë të pushtuara nga mafia dhe bashkëpunëtorët e saj.
4. Ligji 133/2015, dhe në vazhdim të tij edhe ligji nr. 20/2020, që gjithashtu ka marrë mbështetjen e Komisionit të Venecias dhe institucioneve të BE e kthen BE nga faktor i zgjidhjes së anarkisë së pronës në pjesë të problemit. Me ligjet nr. 133 / 2015 dhe nr. 20 / 2020, përfitimi i paligjshëm i tokës, që kanë organizuar pushtetarët, veçanërisht në zonat turistike, synon që aktet e paligjëshme të mbyllent duke u justifikuar me miratimet e dhëna nga institucionet e KE. Kështu shkelen përfundimisht të drejtat kushtetuese të pronarëve të ligjshëm.
5. Politika e Europës së vjetër pas luftës Ruso Turke, 1877-1878, coptoi trojet e vilajeteve arbërore dhe krijoi Shqipërinë me 28.748 km². Pas vitit 1991, me qëndrimin negativ ndaj të drejtës së pronës KE po na eliminon tërësisht, sepse na mohon të drejtën e pronës s trashëguar, duke u justifikuar me kompensim. Ky qëndrim është vazhdimësi interesave dhe gabimeve të së kaluarës.
6. Rezoluta e KiE 19.09.2018, ka shkelur parimin bazë të shtetit demokratik, respektimin e të drejtës së pronës konform Kushtetutës. Ne pronarët e vërtetë dhe origjinalë të tokave të konfiskuara nga shteti i mëparshëm i diktaturës komuniste nuk kundërshtojmë kompensimin për pronat që janë tjetërsuar për nevoja publike. Ligji nr. 133 / 2015 dhe ligji nr. 20 / 2020, nuk kanë saktësuar se cila pronë duhet kompensuar dhe cila pronë duhet kthyer fizikisht. Kjo mangësi bën që këto ligje mbrojnë korrupsionin qeveritar dhe të rrisin konfliktet ndërmjet pronarëve të ligjshëm dhe përfituesve abuzivë.
7. Ne, shoqatat e të shpronësuarve, që përfaqësojnë grupin kryesor të interesit, nuk jemi thirrur për konsultim në hartimin e ligjit, por emri ynë është përdorur si fasadë. Për shkak të konflikteve për pronën, për 30 vitet e fundit, në Shqipëri, janë deklaruar mbi 10.000 të vrarë dhe ky është edhe shkaku kryesor pse të rinjtë për t’ju shmangur gjakmarrjes vazhdojnë të pëpiqen të ikin në emigracion.
8. Ne jemi thellësisht të bindur se problemi i pronave në Shqipëri, do të gjejë zgjidhje duke marrë në konsideratë mendimin e pronarëve. Ne kërkojmë zgjidhjen si detyrim të shtetit për të korrektuar titujt e pronësisë të regjistruar në Kadastër. Ky korrektim të bëhet sipas dokumentave të shtetëzimit komunist që egzistojnë të plota në Arkivin e Shtetit dhe detyrimeve të nenit 181 të Kushtetutës që duhet të zbatohen. Kjo zgjidhje respekton të drejtën e pronës konform Kushtetutes dhe kërkesave të GJEDNJ, vendos qetësinë sociale dhe drejtësinë. Nëse veprohet kështu Shteti duhet të kompensojë pronat e tjetërsuara për interesa publike dhe kjo realizohet me kompensim me prona të mirfillta të shtetit, që përbëjnë 52% të të gjithë pronave. Kjo zgjidhje nuk i pëlqen oligarkëve të politikës sepse ata nuk dëshirojnë ti dorëzojnë pronat që kanë përfituar me mënyra abuzive dhe gjithashtu nuk dëshirojnë të mbyllen shtigjet e korrupsionit qeveritar siç është partneriteti publik privat, legalizimi i ndërtimeve abuzive në zonat turistike.
9. Edhe Presidenti Ilir Meta e ka denoncuar ligjin 133 / 2015 dhe për këtë ka komunikuar me faktorin ndërkombëtar me anë të (1) Letrës nr. 966 prot. datë 19.04.2017, të Institucionit të Presidentit të Republikës drejtuar zotit Thorbjorn Jagland, me detyrë Sekretar iI Përgjithshëm i Këshillit te Evropës, (2) Letrës nr. 1053 prot. datë 16.05.2016, e Presidentit të Republikës drejtuar zotit Thorbjorn Jagland, me detyrë Sekretar iI Përgjithshëm i Keshillit të Evropës dhe (3) Letrës nr. 966 prot., datë 19.04.2017, e Institucionit të Presidentit të Republikës drejtuar zotit Guido Raimondi, me detyrë President i Gjykates Europiane për të Drejtat e Njeriut.
10. Raporti i Bankës Botërore i datës 12 Prill 2021, bëri publike kaosin dhe pasigurinë e titujve të pronësisë në zonën turistike Vlorë Sarandë dhe komentoi për pengesën e investime private në industrinë turistike.
11. Midis Shqipërisë dhe shteteve të tjera janë nënshkruar marrëveshje për nxitjen e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të cilat nuk mund të zbatohen. Pa rregulluar sigurinë e titujve sipas dokumentave të shtetëzimit komunist që tregojnë pronarin e origjinës investitorët e huaj kryesisht të zonave turistike rrezikojnë të konsiderohen si pushtues të tokave tona.
12. Ne kërkojmë nga ju, të konsideroni këtë APEL, duke theksuar pronën si parakusht të zgjidhjes së problemeve të tjera që ka Shqipëria për tu përafruar në BE dhe gjithashtu të ndikoni që Qeveria Shqiptare të saktësojë se cila pronë duhet të kompensohet dhe cila pronë duhet kthyer fizikisht në mënyrë që kompensimi të përputhet me Kushtetutën. Ju lutem që në një kohë të përshtatëshme për ju, të na siguroni një takim pune për sigurinë e titujve të pronësisë, si kusht i domsodoshëm për investimet e huaja private dhe kusht për sigurinë në tërësi në Ballkan. Jemi të bindur se kështu ju do veproni në mënyrë efektive që të ktheni në popull shpresën se edhe në Shqipëri mund të jetohet.
13. Në rast të vizitës në Shqipëri, të të dërguarit të SHBA-ve në Ballkan, Z. Gabriel Escobar, ju lutem të mundësohet një takim pune me ne, për sigurinë e titujve të pronësisë, si kusht i domsodoshëm për investimet e huaja private, si kusht sigurinë dhe stabilitetit në tërësi në Ballkan. Lutemi që ky APEL SOS, t’i komunikohet zyrës së Presidenit Joe Biden dhe DASH
Me konsderatë
Koalicioni i Shoqatave të Pronarëve të Origjinës