Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka dalë më një deklaratë për mediat, ku bën me dije se Drejtoria Antikorrupsion ka identifikuar disa raste të shkeljes së ligjit dhe shpërdorim detyre.
Deklarata e Manjës:
Ashtu si ju premtova, çdo dy javë, të martave, do të jem përpara jush për të komunikuar mbi disa nga punët e drejtorisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Rastet e sotme do t’I nis me zyrtarë të gjendjes civile këtu në Tiranë.
Rasti i parë i përket B.H, e cila ka realizuar një martesë fiktive mes një të burgosur në shtetin italian dhe një qytetareje shqiptare, kundrejt pagesës. Në proçesverbalin e formuluar nga zonja, bashkëshorti që në fakt ndodhej në burg ne Itali, figuron si i pranishëm këtu në Tiranë.
Puna e Drejtorisë Antikorrupsion ka nisur pasi zonja që figuron bashkëshorte, ka bërë një ankesë për zhbllokimin e dokumentave biometrikë. Pas kësaj ankese, nga specialistët e drejtorisë sonë ka nisur hetimi që ka rezultuar në këtë falsifikim kundrejt shpërblimit nën dorë. Kemi bërë kallëzimin në prokurori për falsifikim dokumnetash nga punonjësi i gjendjes civile dhe shpërdorim detyre.
Rasti I dytë ka të bëjë sërish me gjendjen civile këtu në Tiranë. Shtetaset S.A, E.T, dhe E.N, janë kallëzuar në prokurori me akuzën e falsifikimit të dokumentave nga nëpunësi i gjendjes civile dhe shpërdorim detyre. Zonjat në fjalë, në bashkëpunim me njëra tjetrën kanë falsifikuar aktet e gjendjes civile për martesa. Janë ato martesat për të cilat ju keni dëgjuar, pra rëndom quhen për të marrë dokumentat angleze. Sepse këto martesa dyshohet se janë bërë pas dhënies së rryshfetit kundrejt këtyre punonjësve. Pas verifikimeve që kanë bërë specialistët e Drejtorisë së Antikorrupsionit, çështja është kallëzuar në Prokurori.
Rasti i tretë ka të bëjë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Një godinë gjigande, me funksion bar-restorant, e ngritur brenda një parku të mbrojtur kombëtar, nuk rezulton si egzistuese. Të paktën kështu e kanë referuar Drejtori rajonal I zonave të mbrojtura, përgjegjesi I sektorit dhe specialsti në raportin e tyre për vitin 2021:
Pra në parkun kombëtar nuk ka asnjë lloj ndërtimi. Në adresën e njësisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka ardhur një ankesë, duke vënë në lëvizje specialistët tanë, hetim I cili ka konkluduar me kallzim në prokurori për këta persona për shpërdorim detyre si dhe në kërkesën për fillimin e ecurisë disiplinore për masën shkarkim nga detyra.
Rasti i fundit që kam menduar të ndaj me ju sot i përket Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës. Kemi rekomanduar tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fillimin e ecurisë disiplinore për Drejtoreshën Rajonale të Tatimeve Durrës D.T, Përgjegjësin e Sektorit D.XH dhe inspektorin B.L. Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë gjobitur pa kontroll fizik, pra nga zyra, me një shumë 10 milionë lekësh një subjekt në Qerret. Subjekti, me të drejtë, pas këtij veprimi ka kërkuar të drejtën e tij duke u ankuar edhe në Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë.
Pasi specialistët tanë kanë nisur verifikimet, nga tre të lartpërmendurit ka mbërritur ajo që unë po e quaj hakmarrje ndaj subjektit; sërish pa asnjë kontroll fizik, nga zyra, I kanë vënë një tjetër gjobë prej 33 milionë lekësh. Një abuzim I pastër, arrogant madje me pozicionin e besuar nga shteti për t’I shërbyer qytetarëve.
Në përfundim dua të theksoj, se puna e Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion, megjithëse në pak kohë, ka dhënë rezultate të mira. Janë me dhjetëra e dhjetëra dosje e denoncime që po përpunohen nga specialistët tanë, e për të cilat ju do të viheni në dijeani herë pas here, ndërkohë që mendoj se një herë në muaj, të organizojmë së bashku me gazetarët një tryezë me përmbledhjen e punës së Drejtorisë Antikorrupsion.