Meteoalb parashikon se fundjava pritet të jetë e freskët, ndërsa priten reshje të konsiderueshme në pjesën lindore dhe jug-lindore të vendit. Madje, në këto zona parashikohet të ketë edhe shkarkesa të shumta elektrike duke u kthyer në një rrezik të madh për fermerët apo barinjtë e deleve që qëndrojnë kryesisht jashtë.
“Parashikohet që edhe fundjava të ketë të pranishme shumë më tepër vranësira në territor. Më të dukshme do jenë ditën e dielë ku pritet të ketë edhe reshje. Reshjet do të jenë të fokusuara përgjatë kufirit lindor, por nuk përjashtohen edhe në zonat qendrore, kryesisht Elbasan, Librazhd apo edhe në Tiranë priten momente të shkurtra me shi”, tha më herët Lajda Porja.
Reshjet parashikohet të jenë më të dendura kryesisht në zonën e Korçës dhe Ersekës, ku ka rrezik që përrenjtë të dalin nga shtrati .
Shirat e dendur do të paraqiten për shkak të masave ajrore që pritet të vijnë nga gadishull Apenin gjatë pasdites së sotme, ditës së nesërme dhe kulmi pritet të jetë gjatë të dielës.