E kemi fajin ne dhe vetëm ne. Një popull që nuk kërkon të drejtën e delegimit të pushtetit meriton skllavërinë… Po endemi midis shpresës, pritshmërisë dhe iluzionit se do të ketë drejtësi dhe ndëshkueshmëri!
Nga Bashkim ABAZI –
Drejtësia sociale, jo demokracia sociale dhe inteligjencë shërbëtore!
Demokracia institucionale, individuale dhe qenie mjerane!
Miq, ja ku jemi përsëri tek antropozofia e të vërtetës, misioni themelor i medias së shkruar dhe vizive.
Po vjen ndriçimi i vetëdijes humane për t’i pushtuar dhe rrënuar mediat dhe mediumet, shërbëtore të politikës dhe vetvetes.
Në fakt, po endemi midis shpresës, pritshmërisë dhe iluzionit se do të ketë drejtësi dhe ndëshkueshmëri.
Ah more Platon! Tashmë, jo harmonike drejtësia jote ka prodhuar mërzitje, trishtim në vet aktin e të ekzistuarit.
Njeriu tërë jetën e përshkon duke kërkuar kuptim, projekton qëllime dhe jeton në të ardhmen. Për të ç’montuar vetveten, për t’i ikur përballjes me të tashmen.
Mjerim o Aristotel! E paske pasur drejtë o Erich From! Arratisja dhe pavetëdija e njeriut nga e tashmja, mungesa logjike në çastin volitiv nuk janë asgjë tjetër, përveçse “shpërdorim i kohës ekzistenciale”.
O popull i destinuar në skllavëri, injorancë historike dhe idiotësi mentale!
Pushteti i katërt, media dhe shoqëria civile, si edhe sindikalizmi i përgojuar, po dhunojnë republikën e shpirtrave. Manipulatorë dhe demagogë të paskrupullt, kanë ndërtuar mbretëri mbi vuajtjen dhe mjerimin social, tallen me njerëzit dhe jetojnë si pashallarë.
Popull i pandriçuar, që paguan taksa për mjerimin e vet. Na i bëjnë mirë, na e kanë gjetur vrimën e zezë të shpirtit.
Unë nuk jam Robespieri dhe Milerin e kam marrë inat. Këta duhen djegur dhe shkatërruar nga themelet. Jemi marrosur nga simbolika dhe ngjyra, mbas dështimit të kryeshërbëtorit me ligjin e shpifjes, të tatimit, të reklamës, të… E ktheu kazanin dhe timonin në interesin e tij klanor, historik dhe tribal.
Pooo, o Popull i pandriçuar, që voton me barkun bosh shpresën e tradhëtuar nga lobe, klane, tribu të një rrace bastarde, të babëzitur…
Nuk e ka fajin as fantomasi i monarkisë, as manjatët virtualë të mashtrimit, erosit, ngacmimeve psikologjike, as…një byro mediatike e mirëpaguar nga arradha politike…jo o të mjerë !
E kemi fajin ne dhe vetëm ne. Një popull që nuk kërkon të drejtën e delegimit të pushtetit meriton skllavërinë.
Ju përshëndes skllevërit e mi të lumtur!